0030 210 33 18 483

Greqi, asgjësohet grupi shqiptar që “zhvaste” njësitë tregtare dhe supermerkatat

Tribuna TV 18 Maj 2018

Policia greke ka arrestuar pesë shtetas shqiptarë, katër gra dhe një burrë, të akuzuar për vjedhje sistematike nga njësi të mëdha tregtare dhe supermerkata.

Dosja penale përfshin dhe shtatë persona të tjerë që po kërkohen.

Sipas komunikatës së policisë, bëhet fjalë për një grup kriminal të organizuar, aktiviteti i të cilit daton që nga viti 2016.

Grupi vepronte me metoda të sofistikuara, për të evituar kontrollet e sigurisë. Ata përdornin aparate për çaktivizimin e mekanizmave kundër vjedhjes. Sendet e vjedhura, veshje dhe këpucë firmato, vendoseshin në çanta të posaçme, që i kishin faqet e brendshme të veshura me alumin që mos të diktoheshin nga skaneri i alarmit në dalje të njësive.

Nga supermerkatat vidhnin kryesisht pije dhe ushqime.

Policia ra në gjurmë të grupit pas hetimeve disamujore, që filluan me arrestimin në flagrancë të dy shtetasve shqiptarë, nëntorin e kaluar.

Grupi i dërgonte veshmbathjet e vjedhura në Shqipëri, ku shiteshin me kile. Ndërsa pijet dhe ushqimet ia jepte mashkullit të arrestuar, i cili kishte një dyqan ushqimor në Galaci të Athinës.

Nga kontrollet në banesat e femrave të arrestuara si dhe në dyqanin e 42 vjeçarit, u gjetën dhe u sekuestruan më shumë se 4.000 artikuj veshmbathjeje, si dhe më shumë se 1.000 pajisje shtëpiake dhe produkte që shiten në supermerkata.

Policia ka sekuestruar gjithashtu në cilësinë e provës një numër të madh shënimesh mbi artikujt e vjedhur, shuma parash, si dhe karta bankare.

Policia thotë se fitimet e mëdha që nxirrnin nga biznesi i paligjshëm ata i investonin në blerje banesash dhe makinash të shtrenjta.

Ndaje me miqte