0030 210 33 18 483

Greqi: Grevë 24 orëshe të mërkurën, çfarë do të bëjnë doganat

Tribuna TV 28 Maj 2018

Të mërkurën jeta e përditshme e grekëve do të funksionojë me probleme, për shkak të grevës së përgjithshme 24 orëshe që kanë shpallur Konfederata Sindikale dhe unioni sindikal i sektorit publik.

Siç vihet në dukje në njoftimin përkatës, greva 24 orëshe organizohen në kuadër të “Aleancës Sociale” dhe shoqërisë civile që, siç nënvizohet, “Janë goditur nga politikat e vazhdueshme katastrofike të shtrëngesës, të papunësisë dhe tatimeve të pambajtshme”.

Grevës i është bashkuar edhe Federata e Punojësve të sektorit Doganor, që u ka bërë thirrje anëtarëve të vet të lënë punën për 24 orë.

Ndërsa në fillim ishte thënë se për shkak të grevës nuk do të funksionojë asnjë prej doganave kufitare, ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar.

TV Tribuna komunikoi me doganën e Kakavijës dhe të Kapshticës dhe pyeti nëse do të merrnin pjesë në grevën e të mërkurës.

Por përgjigjja ishte e njëjtë. 

“Ende nuk kemi konkluduar në një vendim, pse në bazë të ligjit të ri, duhet marrë mendimi i çdo punonjësi, personalisht”.

Kështu, që një pamje më e qartë për funksionimin ose jo të pikave doganore në kufi me Shqipërinë pritet të jepet të martën, kur do të jenë marrë dhe vendimet përfundimtare.

TV Tribuna do të përcjellë çdo njoftim të mundshëm.

Në rast se doganat do të përfshihen në grevë, puna do të ndërpritet nga ora 07,00 e të mërkurës deri në 07,00 të së enjtes.

Gjithsesi, qytetarët që kanë ndërmend të udhëtojnë për në Greqi, dy ditët e ardhshme, do të bëjnë mirë që të komunikojnë me pikat doganore dhe të marrin informacionin e nevojshëm.
 

Ndaje me miqte