0030 210 33 18 483

Greqi, hiqen “capital controls”

TV Tribuna 26 Gusht 2019

Greqia ka hequr gjithë kufizimet në qarkullimin e kapitaleve monetare, të njohura si “capital controls”.

Vendimi është komunikuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, të hënën në mesditë, në Parlament.

 “Në bashkëpunim me Bankën e Greqisë rikthejmë normalietin e plotë në qarkullimin e kapitaleve. Capital controls, nga sot, i përkasin të kaluarës”, deklaroi Mitsotakis.

Kryeministri grek shtoi se ky ishte një angazhim programatik i konservatorëve, që bëhet realitet para afatit që ishte caktuar.

“Sot mbyllet një cikël pasigurie dhe në të njëjtën kohë, hapet për vendin një cikël i ri optimizmi”, nënvizoi Mitsotakis.

Analistët vlerësojnë se normalizimi i lëvizjes së kapitaleve do të ndihmojë rritjen e besimit, tërheqjen e investimeve dhe shtimin e aftësisë huamarëse të ekonomisë greke.

Kontrolli në qarkullimin e kapitaleve u vendos nga qeveria Tsipas në qershor 2015, kur dështuan negociatat me kreditorët për t’i bërë një zgjatje pa kushte të reja programit të shpëtimit të Greqisë.

Me vendosjen e capital controls-eve, qytetarët për muaj me radhë tërhiqnin nga llogaritë e tyre bankare vetëm 60 euro në ditë, ndërsa kufizimet nisën të çliroheshin gradualisht pas vitit 2017.

Ndaje me miqte