0030 210 33 18 483

Greqi, masat e reja, kush dhe si e kalon kufiri me Shqipërinë

TV Tribuna 21 Nentor 2020

Zëvendësministri i mbrojtjes civile dhe menaxhimit të krizave, Nikos Hardalias, ka njoftuar masat shtesë që zbatohen në pikën kufitare të Kakavijës, të vetmen pikë kalimi tokësore nga Shqipëria në Greqi dhe anasjelltas.

Gjatë informimit të gazetarëve mbi zhvillimet e pandemisë dhe masat kufizuese, Hardalias tha ndër të tjera:

Besoj se është e qartë dhe nga prezantimet e ekspertëve, që të dhënat e ditëve të fundit tregojnë se ngarkesa epidemiologjike nuk është ulur ende dhe tregues veçanërisht të lartë rastesh pozitive vazhdojnë të vërehen në zona të Greqisë së veriut.

Kjo e bën të domosdoshme marrjen e masave për kufizimin e shtrirjes së virusit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Nisur nga fakti se lëvizjet e qytetarëve ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme në përhapjen e epidemisë, tashmë janë në fuqi masat e mëposhtme sa u përket pikave tokësore të kalimit kufitar, domethënë në kufijtë veriorë të Greqisë.

Nga Promahona hyjnë vetëm qytetarë grekë dhe qytetarë të bashkimit Europian. Kalimi lejohet vetëm nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 23,00 të mbrëmjes. ndërsa mjetet e transportit kalojnë gjatë gjithë 24 orëshit.

Nga Kakavija hyjnë vetëm qytetarë grekë, mbajtës të lejes së qëndrimit, si dhe për nevoja emergjente profesionale apo mjekësore.

Kalimi lejohet nga ora 07,00 e mëngjesit deri në 23,00 të mbrëmjes, ndërsa mjetet e transportit edhe në këtë rast kalojnë gjatë gjithë 24 orëshit.

Më tej, kush hyn nga Kakavija, për shkak të ngarkesës së shtuar epidemiologjike që vërehet në Shqipëri, futen detyrimisht në karantinë 7 ditore, në ambientet që kanë deklaruar gjatë plotësimit të formularit PLF.

Nga Evzones dhe Kipus hyjnë vetëm qytetarë grekë, mbajtës të lejes së qëndrimit, si dhe për nevoja emergjente profesionale apo mjekësore.

Kalimi edhe në këtë rast lejohet nga ora 07,00 e mëngjesit deri në 23,00 të mbrëmjes, ndërsa mjetet e transportit kalojnë gjatë gjithë 24 orëshit.

Në fund, Nimfea, Ormenio dhe Eksohi janë hapur vetëm për mjetet e transportit gjatë 24 orëve dhe vetëm me drejtuesin e mjetit.

Kujtojmë se për hyrjen në Greqi vazhdon të kërkohet PLF dhe tregimi i testit PCR negativ, që duhet të jetë kryer 72 orë më përpara, ndërsa tashmë të gjithë ata që hyjnë në territorin grek do të nënshtrohen dhe në rapid test nga ekipe të sekretariatit të përgjithshëm të mbrojtjes civile dhe të entit kombëtar të shëndetit publik që të vërtetohet saktësia e testit PCR.

Po ashtu, për drejtuesit e mjeteve të transportit të mallrave do të bëhen teste të rastësishme.

Të shënohet që pika e kalimit kufitar e Kapshticës është e mbyllur nga e premtja paradite.

Paralelisht intensifikohen  kontrollet, me theks të veçantë në Greqinë e Veriut, ku ngarkesa virusale mbetet e lartë në disa zona.

Ndaje me miqte