0030 210 33 18 483

Greqi, masat e reja që janë në fuqi nga mbrëmja e të mërkurës

TV Tribuna 08 Prill 2020

Zëvendësministri i mbrojtjes civile, Nikos Hardalias, ka komunikuar masat e reja kufizuese për lëvizjen e automjeteve dhe qytetarëve jashtë zonave urbane.
HARDALIAS: Çdo përpjekje për të lëvizur nga qendrat urbane drejt fshatrave krijon premisa për shpërndarjen e virusit. 
Dhe këtë nuk mundemi as ta riskojmë, as ta lejojmë, duke marrë parasysh përpjekjet kolosale që ka bërë shumica dërrmuese e qytetarëve.
Për sa më sipër do të doja t'ju informoj se që nga ora 18,00 e ditës së sotme, në diodat e autostradave në gjithë Greqinë, por edhe gjithë rrugët nacionale dhe sekondare nga dhe drejt qendrave urbane, Policia Greke ka ngritur pika kontrolli për lëvizjen  e gjithë makinave private por dhe gjithë makinave të tjera.
Sa u përket aeroporteve, porteve, në KTEL, do të lejohet vetëm lëvizja e banorëve të përhershëm dhe pa pasur mundësinë e rikthimit, deri në përfundimin e masave kufizuese, kurdo që ato të përfundojnë.
Përjashtim do të bëhet ekskluzivisht për pjesëtarët e forcave të armatosura dhe të sigurisë, si dhe personeli i shëndetësisë, i mbrojtjes civile dhe personeli teknik i strukturave të domosdoshme të shtetit, vetëm pasi të jenë pajisur me urdhër shërbimet përkatëse.
Kontrollet në të gjithë vendin do të jenë të hollësishme dhe do të mbeten në fuqi deri më 27 prill.
Asnjë biletë nuk do të shitet, asnjë pasagjer nuk do të hipë në mjet, pa pasur deklaratën E1 apo vërtetimin e posaçëm të banimit.
Gjithashtu, nga sot në mbrëmje, në rast se nga organet e kontrollit konstatohet se përpjekja për të lëvizur jashtë rrethit të vendbanimit bëhet në mënyrë abuzive për arsye argëtimi, gjoba do të dyfishohet në 300 euro, do të merren targat e automjetit për 60 ditë dhe makina do të kthehet mbrapa, aty prej nga u nis.
Për të njëjtën periudhë kohore, domethënë deri në 27 prill, pezullohet komunikacioni nga dhe drejt ishujve, sa ai ajror, edhe detar, me përjashtim të lëvizjes së banorëve të përhershëm drejt vendbanimit të tyre dhe banorëve të ishujve të vegjël drejt ishujve të mëdhenj, brenda të njëjtës bashki.
Doja të theksoj se shumica e këtyre masave nuk janë të reja, janë faktikisht në fuqi, siç e di shumica e qytetarëve, që i respekton dhe i zbaton.
Ajo që ndryshon është se intensifikohen kontrollet për zbatimin e tyre.

Doja t'u referohesha dhe disa rasteve që na kanë shqetësuar shumë gjatë 24 orëve të fundit. Kemi konstatuar lëvizje qytetarësh me vërtetime të tipit A lëshuar nga punëdhënës, personave që në fakt nuk janë të punësuar aty.
Nëse në rast të kryerjes së kontrollit, dëshmohet diçka e tillë, do të penalizohet me sanksionet që parashikohen për punonjësit e pasiguruar, domethënë gjobë 10.500 euro dhe ndaj atij që përdor vërtetimin do të zbatohen ndjekjet penale.
 

Ndaje me miqte