Greqi, për herë të parë një femër zgjidhet Presidente e Republikës
TV TRIBUNA
22 Janar 2020
Greqia ka zgjedhur për herë të parë në histori një femër në postin e Presidentit të Republikës.
Ajo është Ekaterini Sakellaropoulou, që u zgjodh të mërkurën nga Parlamenti me 261 vota pro.
Është gjithashtu kandidatura e parë që u votua nga tri forca politike.
Në favor të kandidaturës së zonjës Sakellaropoulou votuan deputetët e Demokracisë së re, SYRIZA-s dhe Lëvizjes për Ndryshim.
Deputetët e partive të tjera (komuniste, Zgjidhja Greke dhe MeRA25 abstenuan.
Ekaterini Sakellaropoulou është presidentja e 13-të e Republikës Helenike dhe e teta pas vendosjes së Demokracisë në 1974.
Ajo zëvendëson në postin e kreut të shtetit presidentin aktual, Prokopis Pavlopoulos.
Zonja Sakellaropoulou do të marrë detyrën më 13 mars, kur mbaron mandati i zotit Pavlopoulos.
Kush është presidentja e re
Ekaterini Sakellaropoulou (e lindur në Selanik, më 30 maj 1956), rrjedh nga një familje gjykatësish.
Në 1978 përfundoi studimet në fakultetin juridik të Athinës dhe kreu studimet pasuniversitare në Universitetin e Parisit.
Në tetor 2018, konferenca e kryetarëve në parlamentin grek e zgjodhi kryetare të Këshillit të Shtetit (Gjykata e Lartë Administrative).
Si anëtare e kësaj gjykate, në vitin 2014 votoi kundër shfuqizimit të ligjit Ragusis për dhënien e nënshtetësisë emigrantëve dhe pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet lokale.
Në 15 janar 2020 u propozua nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis si kandidate për postin e presidentit të Republikës.
Ndaje me miqte