0030 210 33 18 483

VIDEO: Greqi, përfituan nga vjedhjet 200.000 euro, publikohet identiteti i treshes shqiptare

Tribuna TV 02 Tetor 2018

Policia greke ka publikuar fotografitë dhe të dhënat e identitetit të tre shtetasve shqiptarë, që akuzohen për një sërë grabitjesh me armë, mes të cilave edhe në vilën e këngëtarit të njohur Lefteris Pantazis.

Dy prej tyre, me moshë 34 dhe 45 vjeç, ishin arrestuar javën e parafundit të shtatorit, ndërsa i treti, një 31 vjeçar, ishte shpallur në kërkim dhe ka rënë këto ditë në pranga.

Sipas policisë, banda kriminale e kishte nisur aktivitetin të paktën në mars të këtij viti.

Ata operonin në mënyrë tejet profesionale dhe ishin mjaft të organizuar. Gjithmonë i maskonin fytyrat e tyre, ndërsa mbanin vishnin doreza e bluza me mëngë të gjata, madje dhe në verë, që mos të linin asnjë gjurmë.

Ata preferonin të godisnin në orët e paradites dhe nën kërcënimin e armëve i detyronin të zotët e shtëpisë t’u tregonin se ku i kishin paratë dhe sendet e çmuara. Ndërsa për t’u larguar nga vendngjarja përdornin makina të vjedhura që u kishin vënë targa të falsifikuara.

Dy të parët u kapën në flagrancë, pasi policia ishin vënë në survejim dhe bënë rezistencë mjaft të fortë, duke përplasur dhe një nga makinat e policisë.

Policia greke thotë se grupi kishte përfituar nga vjedhjet të paktën 200.000 euro.

Policia sekuestroi dy nga automjetet që përdornin të arrestuarit, tre pistoleta njëra prej të cilave me silenciator, një shumë parash prej 5.800 euro, një numër të madh bizhuterish, sahatesh dhe monedhash antike, mjaft telefona celularë, letërnjoftime dhe patenta të falsifikuara.

Të tre ata ishin të skeduar dhe kishin vuajtur dënime në burgje të ndryshme të Greqisë. Ndërsa njeri prej tyre, 45 vjeçari, akuzohet dhe për një vrasje në tentativë.

Publikimi i të dhënave të identitetit u bë me urdhër të prokurorisë, me qëllim që të verifikohet nëse janë implikuar dhe në vepra të tjera.

Ndaje me miqte