Greqi, polemika në parlament për deklaratën e komisionerit Hahn
13 Korrik 2018
Në Greqi vazhdojnë reagimet për deklaratën e komisionerit Hahn mbi negociatat Athinë – Tiranë.
Edhe pse komisioneri tha se ai nuk ka folur për ndryshim kufijsh, disa prej gazetave kryesore greke sot i referohen kësaj teme me tituj bombastikë.
Mbi deklaratën e komisionerit është debatuar edhe në parlamentin grek, ku opozita ka theksuar se fjalët e Johannes Hahnit krijojnë shqetësim të madh dhe prandaj qeveria duhet të pozicionet qartë.
Edhe pse Brukseli sqaroi menjëherë se komisioneri kishte parasysh delimitimin e zonave ekskluzive ekonomike, mediat në Greqi insistojnë se Johannes Hahn ka hedhur një “Bombë për kufij të rinj midis Greqisë e Shqipërisë”, siç e titullon ballinën e vet gazeta Demokratia.
Ndërsa një nga të përditshmet më të mëdha në vend, Ta Nea, komenton se “Johannes Hahn ndez një zjarr të ri”, duke shtruar “problem kufijsh për Greqinë dhe Shqipërinë”.
“Ndërhyrja e komisionerit Hahn shkaktoi stuhi në Athinë dhe “qark të shkurtër” në Bruksel, prej nga nxituan ta ndërlidhin deklaratën me delimitimin e zonave ekskluzive ekonomie”, nënvizon Ta Nea.
Sipas gazetës, objektivi i palës greke në negociatat me Shqipërinë është që të zgjerojë ujërat territoriale me 12 milje, maksimumin e lejueshëm nga Konventa e OKB-së për të drejtën detare, dhe në vazhdim të shpallë zonën Ekskluzive Ekonomike në detin Jon dhe atë Adriatik.
Me tone të larta janë zhvilluar polemikat edhe në parlamentin grek, ku maxhoranca ka akuzuar opozitën se nuk merr parasysh sqarimet e dhëna nga Brukseli dhe se po e përdor këtë çështje për marketing politik.
Mirëpo opozita është përgjigjur se zoti Hahn nuk është “vrima e fundit e kavallit” në atë që quhet Komision Europian. “Komisioneri Hahn është ekspozuar ndaj Greqisë, ndaj qeverisë greke dhe opozitës greke dhe ne kërkojmë që ai të japë shpjegime”, ka deklaruar zëdhënësi i grupit parlamentar të Demokracisë së Re.
Ndaje me miqte