Greqi, reagime ndaj deklaratës së Tsiprasit për kufijtë me Shqipërinë
TV Tribuna
13 Korrik 2018
Disa prej mediave greke kanë reaguar fuqishëm pas deklaratës së kryeministrit Aleksis Tsipras se dy çështjet e mbetura me Shqipërinë janë ligji i luftës dhe kufijtë.
Portali Prothema shtronte që në fillim pyetjen retorike, nëse “kryeministri bëri një gafë, apo zbuloi se vërtet po negociohet për kufirin shtetëror midis të dy vendeve”...
Ishte një lapsus i kryeministrit se mbetet të zgjidhet një çështje kufijsh ndërmjet Greqisë e Shqipërisë, apo mos vallë po diskutohet në fshehtësi një zgjidhje që do të befasojë popullin grek?, vazhdon Protothema.
Portali grek e ndërlidh deklaratën e fundit të kryeministrit me deklaratën e komisionerit Hahn që kishte folur për ristrukturim kufijsh dhe që gjithashtu kishte shkaktuar reagime të stuhishme në Greqi.
“Deklarata e kryeministrit përputhet në mënyrë impresionuese me atë të komisionerit Hahn”, vë në dukje Protothema.
Pasditen e të mërkurës, zyra e shtypit e kryeministrit grek u dërgoi mediave një non paper, ku nënvizohet se “kryeministri, me përmendjen e çështjes së kufirit me Shqipërinë, kishte parasysh mirëmbajtjen e piramidave në kufijtë ekzistues me vendin fqinj”.
Zyra e shtypit gjithashtu akuzon mediat miqësore ndaj Demokracisë së re të opozitës, se përpiqen të krijojnë probleme në negociatat me Shqipërinë”.
Por një tjetër portal i madh, in.gr, nënvizon se çështja e debatueshme mbetet e paqartë.
“Sepse nuk mundet që kryeministri në një konferencë shtypi kaq të rëndësishme t’i referohet thjesht një meremetimi të piramidave dhe pastrimit të barishteve të thata. Sepse kjo është një punë me të cilën do të duhej të merrej shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe me gjasë nuk e ka bërë për vite me radhë”, nënvizon in.gr.