0030 210 33 18 483

Greqi, rritje ekonomike 2,8% parashikon buxheti i 2020-s

TV TRIBUNA 07 Tetor 2019

Një rritje të konsiderueshme të ritmeve të zhvillimit ekonomik në 2020-n, parashikon projektbuxheti i vitit të ardhshëm që u paraqit të hënën në parlamentin grek, nga ministri i financave, Christos Staikouras.

Më konkretisht, rritja ekonomike parashikohet të arrijë në 2,8%, në kohën që viti në vazhdim, pra 2019-a, parashikohet të mbyllet me një rritje 2 për qind.

Projektbuxheti i ri parashikon uljen e mëtejshme të nivelit të papunësisë që vlerësohet se do të arrijë 15,6% në 2010 (nga 17,4% në 2019), si dhe rritjen e konsumit privat.

Prodhimi i përgjithshëm i brendshëm parashikohet të arrijë në 197,315 miliardë euro, ndërsa borxhi i qeverisjes së përgjithshme do të ketë një ulje prej 5,5% dhe do të bjerë në 167,8%, ose në 331 miliardë euro.

Në projektbuxhetin e vitit 2020, pasqyrohen edhe politikat sociale, që konsistojnë në ruajtjen e kompensimeve dhe uljen e disa taksa tatimeve. E gjithë paketa kap një shifër prej 1,2 miliardë euro.

Kështu, do të jepet një kompensim prej 2.000 eurosh për çdo fëmijë që do të lindë pas 1 janarit 2020. Sipas qeverisë, këtë do ta përfitojnë 90% e familjeve, ndërsa kriteret e të ardhurave do të kenë një bazë mjaft të gjerë. (Për këtë në buxhet parashikohet të shpenzohen 123 milionë euro).

Fiksohet në 13% koeficienti i TVSH për artikujt e moshës foshnjore, si dhe i skafandrave për motoçiklistët (kosto në buxhet: 12 milionë euro).

Për personat fizikë: Reduktim i koeficientit të tatimit të të ardhurave në 9%, dhe rritje e limitit të të ardhurave të patatueshme për çdo fëmijë. (Kosto 218 milionë euro).

Reduktim me të paktën një njësi në kontributet e sigurimeve shoqërore për të punësuarit me kohë të plotë. (Kosto në buxhet: 123 milionë euro).

Për bizneset

Reduktim i taksës mbi të ardhurat të subjekteve juridike, nga 28% që është sot, në 24%, duke filluar nga bviti 2019 (Kosto në buxhet: 566 milionë euro).

Reduktim i tatimit mbi dividentet që do të ndahen nga 2010-a, nga 10% në 5% (Kosto 69 milionë euro).

Ndërtime

Pezullohet TVSH për 3 vjet, për ndërtimet e reja, si dhe taksa e mbivlerës (Kosto 26 milionë euro).

Rimbursim i një pjese të shpenzimeve për rikonstruksion, përmirësim energjik dhe estetik i banesave, që shlyhen me transaksione elektronike dhe që nuk krijon asnjë rëndesë për buxhetin.

Të ardhurat neto në buxhetin e shtetit për vitin 2020 parashikohet të arrijnë në 53,9 miliardë euro.

Ndaje me miqte