0030 210 33 18 483

Greqi, shqiptari i armatosur, terrorizon njerëzit në sallën e gjyqit

Tribuna TV 18 Maj 2018

Një shtetas shqiptar është arrestuar në Greqi, i akuzuar për kanosje me armë brenda në sallën e gjyqit.

I arrestuari, jo vetëm që e kishte të mbushur armën e vet, por në një moment mori edhe pistoletën e një punonjëseje të policisë.

Ka qenë ndërhyrja e dy qytetarëve që evitoi një ngjarje e cila do të mund të kishte përmasa tragjike.

Njeri prej tyre përshkruan momentet e tmerrit të vërtetë:

Kishim rënë të gjithë përtokë që të shmangim më të keqen. Shfrytëzova rastin dhe i fola, duke iu lutur që ta linte armën, të përpiqej të qetësohej, duke i thënë që nuk kishte për ta ngacmuar askush prej nesh. Por ai nuk donte të dëgjonte. Në një moment u zhvendos, dhe atëherë unë dhe një tjetër shfrytëzuam rastin iu hodhëm përsipër duke e neutralizuar. Pastaj ndërhyri dhe policia e i mori armët... Ishte një ngjarje e tmerrshme. Unë kam kaq vjet që frekuentoj sallën e gjyqit. Nuk e kam jetuar kurrë më parë një gjë të tillë dhe as që dua ta përjetoj më. Sepse do të mund të ishte një ngjarje me pasoja vdekjeprurëse”./ 03.00

Gjithçka ka ndodhur mesditën e të enjtes në gjykatën e qytezës Githeos në Peloponez.

41 vjeçari shqiptar Dritan Mullahu, ishte thirrur si dëshmitar në një çështje ku njërën nga palët në konflikt ai e urrente për shkak se kishin marrë në punë ish bashkëshorten e tij pas divorcit.

Ndërsa gjyqi kishte filluar, ai i ka vënë në ballë revolverin atij personi, duke i thënë “më ke shkatërruar jetën, do të vdesësh”.

Një punonjëse e policisë është munduar ta qetësojë dhe t’i marrë armën, atëherë Mullahu ka tërhequr këmbëzën, por arma nuk shkrepi. Ndërkaq, policja është detyruar që të lerë përtokë edhe pistoletën e vet, të cilën e ka marrë 41 vjeçari dhe me dy armë në duar u kanosej gjithë të pranishmëve.

Por në një moment, dy prej tyre i janë hedhur përsipër dhe e kanë çarmatosur, ndërsa policia i ka hedhur prangat.

41 vjeçarit iu sekuestrua revolveri me gjashtë fishekë. Ndërsa dosja penale kundër tij përmban akuzat e vrasjes me dashje në tentativë, grabitje, prishje e seancës gjyqësore dhe shkelje e legjislacionit për armët.
 

Ndaje me miqte