0030 210 33 18 483

Greqi, si do të funksionojnë bizneset pas 4 majit

TV Tribuna 29 Prill 2020

Nga e hëna, 4 maj, fillon gradualisht ristartimi i veprimtarisë ekonomike në Greqi.
Në këtë stad të parë rikthehen në punë 68.528 punonjës dhe afaristë nga 690.000 që është numri i përgjithshëm i atyre që pezulluan punën dhe veprimtarinë me urdhër të qeverisë në zbatim të masave kundër koronavirusit.
Në stadin e parë rifillojnë punën bizneset e mëposhtme:
TREGTIA ME PAKICE: (librari, dyqane optike, artikuj sportivë, fidanishte dhe lirohet lëvizja për prodhuesit e tregjeve fshatare ndërmjet periferive).
SHERBIMET: floktore, berberana, sallone estetike, KTEO (qendra e kontrollit teknik të automjeteve).
Në gjithë veprimtaritë është i detyruar perdorimi i maskës mbrojtëse nga punonjësit. 
E njëjta vlen dhe për klientët, me përjashtim të KTEO, zonat arkeologjike dhe restorantet.
Më konkretisht, siç bëri të ditur zëvendësministri i zhvillimit për çështje të industrisë, Nikos Papathanasis, masat e posaçme mbrojtëse që do të zbatohen për çdo veprimtari ekonomike janë si më poshtë:
NJESITE TREGTARE: Për siperfaqe deri 20 m2, lejohen 4 persona njëkohësisht.
Sipërfaqe nga 20-100 m2, 4 persona, + një person për çdo 10 m2. P.sh., në një dyqan me sipërfaqe 60 m2, do të lejohen 8 persona.
Siperfaqe mbi 100 m2, 12 persona + 1 për çdo 15 m2. P.sh., në një dyqan me sipërfaqe 130 m2, do të lejohen njëkohësisht 14 persona.
Njësitë tregtare do ta fillojnë punën në orën 10,00 paradite nga 09,00 që ishte rregulli.
Distanca ndërmjet njeri tjetrit: 2 metra.
Përdorimi i ashensorëve nuk rekomandohet dhe nëse përdoret, lejohen aq persona sa 40% e kapacitetit. Në rast se ka shkallë lëvizëse, ndalohet përdorimi i ashensorëve.
SHERBIME: Floktore, berberana, sallone estetike  
2 metra distancë nga njeri tjetri për punonjësit. Klientët do të vijnë vetëm pas takimeve të fiksuara dhe bizneset duhet t’i regjistrojnë para fillimit të punës, dhe këtë listë janë të detyruar ta tregojnë në rast se u bëhet kontroll.
Në sallonet estetike, personeli detyrimisht duhet të mbajë dhe doreza.
Numri i njerëzve që mund të gjenden njëkohësisht brenda lokalit, është i njëjtë me atë për njësitë tregtare.
Orari i punës është fakultativ: 07,00 -22,00 gjatë javës dhe 07,00-21,00 të shtunave.
KTEO: Klientët mund të vijnë vetëm me takime të fiksuara. Bizneset janë të detyruara të mbajnë një listë ditore të takimeve. Përdorim i detyruar i maskave mbrojtëse, dorezave dhe antiseptikut nga personeli.
KOMPLEKSE TREGTARE: Punonjësit duhet të mbajnë doreza me një përdorim.
Në komplekset tregtare vlejnë kufizimet që zbatohen përgjithësisht për njësitë tregtare, sipas siperfaqes së tyre.
Numri maksimal i klientëve, një person për çdo 20 m2 siperfaqe.
Restorantet dhe kafet brenda qendrave tregtare nuk do të funksionojnë me ndenjëse.
RESTORANTE DHE KAFE (fillimisht vetëm në ambientet e jashtme)
Brenda muajit qershor do të  zbardhen rregullat se si do të  funksionojnë edhe në ambientet  e brendshme.
Masat zbatohen edhe në kafe-restorantet e hoteleve.
Distanca minimale ndërmjet tavolinave caktohet në 2 metra.
Numri i klientëve që lejohet në të njëjtën kohë: 1 person për çdo 3 m2.
Në çdo tavolinë lejohet të ulen 4 persona.
Personeli do të mbajë doreza me një përdorim si dhe do të përdoret antiseptik.
 

Ndaje me miqte