0030 210 33 18 483

Greqi, zbulohet grupi greko-shqiptar i trafikut të armëve

TV TRIBUNA 15 Shtator 2019

Policia greke ka zbuluar një grup kriminal që trafikonte armë dhe municione nga Shqipëria në Greqi.

Dosja penale përfshin 11 shtetas grekë dhe 5 shqiptarë, ndërkohë që në pranga janë vënë 6 grekë të moshës nga 31 deri 64 vjeç.

Faza e parë e operacionit u zhvillua në portin e Haniasë në Kretë, ku policia ndaloi një furgon pas zbritjes nga trageti i linjës. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 4 automatikë kallashnikovë dhe më shumë se 122 mijë fishekë automatiku.

Pas arrestimit të drejtuesit të mjetit, pasuan kontrolle në banesa të të pandehurve të tjerë, në Thesproti, Kozani dhe Rethimno. Aty u gjetën armë luftarake dhe gjahu, një sasi e madhe fishekësh të kalibrave të ndryshëm, shumë telefona celularë dhe karta sim.

Policia thotë se nga hetimet ka rezultuar që grupi kriminal përbëhej nga dy degë: Dega e Shqipërisë që merrte përsipër sigurimin e armëve dhe municioneve dhe dega e Kretës që merrej me transportimin dhe shitjen e armatimit.

Sipas policisë, që nga nëntori 2018, grupi ka kryer të paktën katër trafikime të armëve dhe municioneve nga Shqipëria në Greqi.

Përfitimi ekonomik nga ky aktivitet kriminal përllogaritet në 232.000 euro.

Ndaje me miqte