0030 210 33 18 483

Greqia bie në vendin e 7-të mes investitorëve të huaj në Shqipëri

Tribuna TV 03 Tetor 2018

Kalimi në duar të tjera i disa investimeve të rëndësishme greke në Shqipëri, në fushën e shëndetësisë dhe atë financiare, ka sjellë një rënie të flukseve investuese nga Greqia në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018.

Kështu vë në dukje Buletini informativ i zyrës tregtare të ambasadës së Greqisë në Tiranë, që u referohet të dhënave të investimeve të huaja direkte për gjatë muajt e parë të këtij viti.

Konkretisht, sipas të dhënave provizore të Bankës së Shqipërisë, prurja e investimeve greke në Shqipëri ishte 13 milionë euro, duke e zbritur Greqinë në vendin e 7-të mes vendeve që kanë investuar në Shqipëri.

“Megjithatë, Greqia mbetet investitori kryesor në Shqipëri, ndonëse vlera totale e kapitaleve të investuara pritet të ulet, pasi blerja e kompanive të interesave greke (Tirana bank / Banka e Pireut, Hygeia Hospital Tirana/ Grupi Hygeia, NBG Albania / Banka Ethniki), regjistrohen në të dhënat e tremujorit të tretë të vitit”, vihet në dukje në buletinin e zyrës tregtare të ambasadës greke.

Përgjithësisht, sipas të dhënave të bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit të parë të 2018-s ishin 494 milionë euro, të shtuara me rreth 109 milionë ose 28% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Rreth 70% e kapitaleve të huaja që erdhën në vend gjatë kësaj periudhe, u investuan në sektorin e energjetikës, dhe kanë të bëjnë kryesisht me dy veprat e mëdha që gjenden në stadin përfundimtar: pjesa shqiptare e gazsjellësit TAP dhe hidrocentrali i Devollit.

Investuesi kryesor direkt në Shqipëri në gjashtëmujorin e parë, me prurje kapitalesh 194 milionë euro ishte Zvicra, ku ndodhet selia e konsorciumit të gazsjellësit TAP. Totali i investimeve zviceriane në Shqipëri ka arritur në 1,1 miliard euro, duke e bërë Zvicrën investitorin e dytë të huaj në Shqipëri.

Pas Zvicrës, vjen Holanda,, kryesisht për shkak të ndërtimit të hidrocentralit të Devollit nga kompania shtetërore norvegjeze Statkraft, përmes kompanisë bijë të interesave holandeze Statkraft Markets BV, por edhe investimeve të shumëkombëshes anglo-holandeze Royal Dutch Shell në fushën e naftënxjerrjes.

Prurjet e kapitaleve nga Austria dhe Turqia në gjashtëmujorin e parë ishin 34 milionë euro dhe u investuan në sektorin hidroenergjetik, ndërsa investimet kanadeze, me vlerë rreth 30 milionë euro, u realizuan në masë të madhe nga kompania Bankers Petroleum.

Në krahun tjetër, investimet iraliane ishin vetëm 16 milionë euro, pavarësisht se Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe investitori i gjashtë më i rëndësishëm në vend.

Përmbledhtazi, vlera totale e investimeve të huaja në fund të gjashtëmujorit të parë të viti ishte 7,1 miliardë euro, që i korrespondon rreth 70% të produktit të përgjithshëm kombëtar, bën të ditur buletini informativ i zyrës tregtare të ambasadës greke në Tiranë.

Ndaje me miqte