Greqia dhe Italia diskutojnë për zonat detare
TV TRIBUNA
21 Dhjetor 2019
Greqia dhe Italia do të rifillojnë negociatat për delimitimin e zonave detare, negociata që po zgjasin prej 40 vjetësh.
Ekspertë të dy ministrive të jashtme do të takohen në Romë, më 30 dhjetor, bëri të ditur televizioni publik grek, ERT.
Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias ka shtyrë takimin e tij me homologun italian, Luiggi Di Maggio, të paralajmëruar për në fundjavë. Por dy ministrat kanë rënë dakord që të presin përfundimin e mbledhjes së ekspertëve dhe pastaj të takohen.
Negociatat mes Athinës dhe Romës për delimitimin e zonave detare dhe shelfit kontinental kanë nisur që në vitet 70 të shekullit të kaluar.
Sipas burimeve greke, arsyeja e mos arritjes së marrëveshjes lidhet me ekzistencën e karkalecit të kuq në detin Jon, në trekëndëshin midis Italisë, Shqipërisë dhe Greqisë. Roma pretendon se peshkatarët italianë kanë tradicionalisht të drejtën ekskluzive për të peshkuar këtë lloj karkaleci, kilja e të cilit shitet deri në 45 euro.
Nisma e palës greke, për të përcaktuar zonat detare me Italinë, inkuadrohet në reagimet ndaj marrëveshjes që nënshkroi Tuqia me Libinë, për delimitimin e zonave ekskluzive ekonomike dhe që sipas Athinës cenon sovranitetin e Greqisë.
Aktualisht Athina ka filluar negociatat edhe me Egjiptin, ndërsa ka në plan, në një të ardhme, edhe rifillimin e negociatave me Shqipërinë.
Ndaje me miqte