0030 210 33 18 483

Greqia i shlyen borxhin FMN-së

TV TRIBUNA 18 Prill 2019

Greqia kërkon shlyejë para kohe gati gjysmën e kredive të marra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një përpjekje për të ulur barrën e borxhit jashtëzakonisht të madh për një vend të eurozonës.

I gjithë borxhi i Greqisë ndaj FMN është 9,3 miliardë euro dhe duhet shlyer deri në vitin 2024.

Kredia ishte ofruar si pjesë e paketës së parë të ndihmës për Athinën në vitin 2010, kur vendi ndodhej në prag të falimentimit.

Pjesa që Athina kërkon të paguajë është 3,7 miliardë euro.

Që të kryhet kjo pagesë, duhet marrë miratimin nga Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM). Sipas agjencisë Reuters, miratimi do të jepet deri në fund të kësaj jave.

Analistët vlerësojnë se me shlyerjen e kësaj pjese të kredisë, qeveria greke përcjell në tregjet financiare një mesazh pozitiv lidhur me qëndrueshmërinë e borxhit publik.

Por nga ana tjetër, mund të shfrytëzohet edhe politikisht, duke u paraqitur si një “çlirim i vendit” nga FMN, çka përbën një nga pikat qendrore të platformës politike të SYRIZA-s.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, e cilësoi si një zhvillim historik shlyerjen e pjesshme të kredisë ndaj FMN.

“Është zhvillimi i dytë më i rëndësishëm që prej daljes së Greqisë nga programi i shpëtimit” (në gusht 2018), nënvizoi Tsipras gjatë një interviste televizive të hënën në mbrëmje.

Greqia është vendi më debitor në eurozonë dhe borxhi i saj publik aktualisht kap shifrën 180%. Kjo është arsyeja që shteti grek paguan për kreditë interesa katër herë më të shtrenjta se sa vendet e tjera anëtare të zonës së euros.

Ndaje me miqte