Greqia kërkon 300 miliardë euro dëmshpërblim nga Gjermania
TV TRIBUNA
18 Prill 2019
Greqia do t’i kërkojë Gjermanisë miliarda euro si dëmshpërblime për Luftën e Dytë Botërore. Edhe pse Berlini thotë që kjo çështje është mbyllur një herë e përgjithmonë, kryeministri Tsipras deklaroi se ky është një obligim historik dhe moral.
Në një nga rastet shumë të rralla që punimet janë zhvilluar pa debate të zjarrta, parlamenti grek ka autorizuar qeverinë që të kërkojë zyrtarisht nga Gjermania pagesën e dëmshpërblimeve për okupimin nazist.
Bëhet fjalë për një shumë marramendëse, më shumë se 300 miliardë euro, përafërsisht aq sa është edhe borxhi publik i Greqisë.
Kryeministri Aleksis Tsipras tha se qeverisë gjermane do t’i dërgohet sa më shpejt një notë verbale, me kërkesat e argumentuara.
Athina kërkon reparacione për Luftën e dytë botërore
Dëmshpërblime për familjarët e viktimave të krimeve të luftës,
Shlyerjen e një kredie që nazistët morën nga banka qendrore e Greqisë gjatë kohës së okupimit,
Kthimin e relikteve dhe objekteve arkeologjike që grabitën nazistët.
Pretendimi i dëmshpërblimeve është për ne një obligim historik dhe moral, nënvizoi kryeministri Aleksis Tsipras, gjatë debatit parlamentar.
Por zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, deklaroi nga Berlini se çështja e reparacioneve gjermane është zgjidhur në mënyrë të parevokueshme, politikisht dhe juridikisht.
Seibert tha se nuk donte të komentonte vendimin e parlamentit dhe lëvizjet zyrtare që eventualisht do të bëhen.
Sipas agjencisë DPA, Gjermania pretendon se kjo çështje ka përfunduar me nënshkrimin e Traktatit të Bashkimit të Gjermanisë në vitin 1990.
Ndaje me miqte