Sipas të dhënave të mekanizmit Europian të Stabilitetit, Greqia ka marrë gjatë tetë viteve të krizës kredi me vlerë të përgjithshme 288,7 miliardë euro.
Nga këto: 203,8 miliarde euro janë marrë prej EFSF (Fondi Europian i Stabilitetit Financiar) dhe ESM; 52,9 miliardë prej kredive dypalëshe me shtetet anëtare të Eurozonës dhe 32,1 miliardë janë dhënë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Sa i përket shlyerjes, kreditë e dhëna nga ESM do të shlyhen nga 2034 deri në 2060, ndërsa ato të EFSF ishte planifikuar që të shlyheshin në periudhën 2023 – 2056, por ndërkaq do të zbatohet një shtyrje dhjetëvjeçare.
Siç vë në dukje ESM, masat afatmesme pritet të garantojnë qëndrueshmërinë e borxhit grek në skenarin bazë. Ndërsa implementimi i një strategjie ambicioze zhvillimi ekonomik dhe politikave korrekte fiskale nga ana e qeverisë greke, do të jenë komponentët kryesorë me qëllim që borxhi të mbahet në nivele normale.
Gjithashtu, Eurogrupi ka rënë dakord që të rishqyrtojë periudhën e amnistisë për kredinë e EFSF, në vitin 2032, në rast se do të nevojiten masa shtesë për borxhin.