0030 210 33 18 483

Greqia  në zi, shuhet gjigandi Mikis Theodorakis

TV TRIBUNA 02 Shtator 2021

Mikis Theodorakis, një ndër kompozitorët më të famshëm në botë, ka ndërruar jetë të enjten, në moshën 96 vjeç.

Theodoroakis ishte pjesëmarrës aktiv në rezistencën kundër okupatorit nazist, por dhe një nga personalitetet udhëheqëse të lëvizjes kundër juntës së kolonelëve që dominoi në Greqi në vitet 1967-1974.

Junta e arrestoi që në ditët e para dhe pas torturave që e përkeqësuan shëndetin e tij, në mbarë Europën nisi një lëvizje për lirimin e Theodorakisit. Këto komitete drejtoheshin nga personalitete të asaj kohe si Dmitri Shostakoviç, Arthur Miller, Lorenc Oliver, Yves Montand.

Përfundimisht përballë presionit ndërkombëtar, junta u detyrua ta nxirrte nga burgu në 1970 dhe ta lejonte të largohej për në Paris.

Që nga lirimi i tij dhe deri në rënien e juntës organizon në gjithë botën koncerte, duke i bërë jehonë rezistencës së popullit grek ndaj kolonelëve. Në Greqi, këngët e tij këndohen në ilegalitet dhe shndërrohen në simbole të rezistencës.

Për shkak të bindjeve të tij komuniste pas luftës civile në Greqi u burgos dhe u internua disa herë.

Ai shërbeu disa herë si deputet i forcave të majta, ndërsa në fund të viteve 1980, befasoi shumëkënd, kur u aktivizua si ministër në qeverinë e Konstantinos Mitsotakis.

 

E para ishte fjala...

Mikis Theodorakis ka krijuar në të gjitha zhanret e muzikës, që nga opera, balet, muzika simfonike, muzika e dhomës, muzika për teatër, për filma, dhe këngë të muzikës së lehtë popullore, siç quhen në Greqi.

Muzikimi i poezive është konsideruar si “shtylla kryesore e krijimtarisë së Theodorakisit. Angelos Sikelianos, andreas Kalvos, Jorgos Seferis, Janis Ritsos, Odiseas Elitis, Manolis Anagnostakis, por edhe Pablo Neruda, Federiko Garsia Lorka, Bernard Biam...

Në këtë mënyrë bëri të mundur që poezia cilësore të prekë ndjenjat edhe të popullit të thjeshtë.

Vetë Theodorakis, nga burgu i Oroposit, shkruante dikur: “Në fillim ishte fjala... Synimi im më i madh është që t’i shërbej me besnikëri poezisë së re greke”.

Fama e tij i kapërceu që herët kufijtë e Greqisë. Theodorakis kompozoi sirtakin e famshëm për filmin “Zorbas” (1964). “Skena kur Zorba (Anthony Quiun) kërcen i zbathur në breg të detit u bë imazhi më popullor i kulturës greke. tema e flmit që fitoi tre çmime Oscar mbetet ndoshta pjesa më e njohur e muzikës greke, më shumë se gjysmë shekulli më vonë”, shkruante BBC në komentin për vdekjen e Theodorakisit.

Këngë të Mikis Theodorakisit kanë kënduar Beatles-at, Shirley Basey dhe Edith Piaf. Ai ka kompozuar muzikën e filmave “Z”, “Fedra” dhe “Serpiko”.

Deri në fund të jetës së vet, Mikis Theodorakis ishte aktiv në politikë.

Në vitet 2010 ai merrte pjesë aktivisht në protestat ndaj masave shtrënguese. Gjithashtu mbajti një fjalim të zjarrtë kundër marrëveshjes së Prespës (2019).

 

“Dua ta lë këtë botë si një komunist”

Me një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të partisë komuniste greke, Dimitris Koutsoumbas, në tetor 2020, Theodorakis kishte lënë amanet që të varroset në vendin e vet të origjinës, në Galata të Haniasë.

“Tani, në fund të jetës time, në momentet e bilanceve fshihen nga mendja ime detajet dhe mbeten vetëm “dimensionet e mëdha”. Kështu shikoj se vitet e mia më kritike, më të fuqishme dhe më me maturi i kalova nën flamurin e KKE. Për këtë arsye dua ta lë këtë botë si një komunist”, shkruante Theodorakis në atë letër.

 

Tri ditë zi kombëtare

Në kohën që lajmi i vdekjes së Theodorakisit u pasqyrua gjerësisht nga media botërore, gjithë liderët e partive politike greke shprehën dhimbjen e tyre për këtë humbje të madh.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi se qeveria ka vendosur të shpallë tri ditë zie kombëtare. Siç është thënë dhe për Palamasin, “të gjithë kishim harruar që është i vdekshëm”. Mirëpo na le trashëgimi këngët e veta, aktivitetin e tij politik, por edhe kontributin kombëtar në momentet kritike. Miki është historia jonë dhe ne duhet të vazhdojmë ashtu siç dëshironte dhe ai”, deklaroi shefi i qeverisë greke.

“Miki i dha dritë shpirtit tonë”, komentoi lideri i opozitës Aleksis Tsipras.

“Vetë Miki do të na mungojë. Po vepra e tij do të jetë këtu, të na frymëzojë dhe sidomos të na bashkojë”, deklaroi kryetarja e KINAL, Fofi Genimata.

“I rrëmbyeshëm, i frymëzuar dhe i përndezur nga pathosi i ofertës ndaj popullit, Theodorakis arriti të përfshijë në veprën e tij madhështore gjithë eposin e betejave popullore të shekullit të 20-të në Greqi. Përndryshe, pjesë e këtij eposi ishte dhe vetë”, thekson partia Komuniste në deklaratën e vet.

Ndaje me miqte