Greqia përfundon programin e shpëtimit. Nga sot, qëndron në këmbët e veta
Tribuna TV
20 Gusht 2018
Sot përfundon edhe zyrtarisht programi i tretë i shpëtimit të Greqisë, që zgjati tre vjet dhe në kuadër të mekanizmit Europian të Stabilitetit (ESM), vendit iu akorduan 61,9 miliardë euro.
Daljen suksesshme të Greqisë nga programi, e përshëndetën në orët e para të së hënës, presidenti i Eurogrupit, Mario Centeno dhe kreu i ESM, Klaus Regling.
“Sot mundemi të përfundojmë me siguri programin e ESM pa qenë nevoja për programe të tjera shpëtimi, pasi për herë të parë që nga viti 2010 Greqia mundet të qëndrojë në këmbët e veta”, deklaroi Mario Centeno, duke vënë në dukje se kjo u bë e mundur “falë përpjekjeve të shkëlqyera të popullit grek, bashkëpunimit të mirë me qeverinë aktuale greke dhe mbështetjen e partnerëve europiane përmes kredive dhe lehtësimit të borxhit”.
“Objektivi final i programit të ndihmës financiare dhe i reformave në Greqi tetë vitet e fundit ishte krijimi i një baze të re për zhvillim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. U nevojit shumë më tepër nga sa parashikohej, por besoj se jemi aty: Ekonomia e Greqisë po rritet sërish, ka suficit fiskal dhe tregtar dhe papunësia po ulet në mënyrë konstante”, përfundon presidenti i Eurogrupit, vendeve anëtare të Eurozonës.
“Teksa ESM dhe EFSF (European Financial Stability Facility – Fondi Europian i Stabilitetit Financiar) janë kreditorët më të mëdhenj të Greqisë, si posedues të 55% nga borxhi total i qeverisë greke, interesat tona janë në një linjë me interesat e Greqisë. Duam që Greqia të jetë një tjetër histori suksesi, të begatohet dhe të jetë një vend që i besojnë investitorët”, nënvizon në deklaratën e tij kreu i ESM, Klaus Regling.
Më vonë gjatë ditë priten deklarata zyrtare edhe nga Komisioni Europian, teksa komisioneri për çështjet financiare, Pierre Moscovici, do të japë një konferencë për shtyp në Bruksel.
Në deklarata me shkrim për shtypin, në fundjavë, Moscovici tha se ishte “një ditë historike”, sa për Greqinë, edhe për Europën, duke vënë në dukje se “pa ndihmën financiare europiane ekonomia greke do të ishte rrënuar” “duke marrë me vete gjithë ekonomitë europiane, të paktën pjesërisht në humnerën greke”.
Ndaje me miqte