0030 210 33 18 483

Greqia: Stop azilkërkuesve nga Shqipëria

TV Tribuna 05 Janar 2020

Viti i ri ka hyrë me një lajm të keq për azilkërkuesit nga Shqipëria që ndodhen në Greqi.

Qeveria greke e ka përfshirë Shqipërinë në Listën e 12 vendeve të sigurta.

Kjo do të thotë se aplikimet e shtetasve shqiptarë do të refuzohen dhe ata do të urdhërohen të largohen nga Greqia.

Vendimi për Listën e vendeve të sigurta është firmosur nga ministri i mbrojtjes së qytetarit, Mihalis Hrisohoidis dhe ministri i jashtëm Nikos Dendias dhe është publikuar në numrin e fundit të Gazetës Zyrtare.

Vendimi është marrë mbi bazën e udhëzimit 2013/32 të Komisionit Europian, sipas të cilit lejohen vendet anëtare të BE-së që të zbatojnë rregulla të posaçme proceduriale, në rast se aplikanti është shtetas i një vendi që është cilësuar si “vend i sigurte”.

Sipas vendimit, 12 vendet që janë cilësuar si të sigurta janë:

1. Gana

2. Senegali

3. Togo

4. Gambia

5. Maroku

6. Algjeria

7. Tunizia

8. SHQIPËRIA

9. Gjeorgjia

10. Ukraina

11. India

12. Armenia.

Sipas ligjit për azilin të miratuar në nëntor 2019, si vende të sigurta cilësohen ato vende që:

a. Përfshihen në listën unike të Këshillit të bashkimit Europian.

b. Vendet që përfshihen në listat kombëtare të vendeve të origjinës.

Një vend mund të cilësohet si i sigurtë origjine nëse, në bazë të situatës juridike të zbatimit të së drejtës në kuadër të sistemit demokratik dëshmohet qartë se përgjithësisht dhe në mënyrë të përhershme personi nuk përndiqet për bindjet e tij, nuk u nënshtrohet torturave dhe trajtimit apo ndëshkimit diskriminues, dhe as rrezikohet nga përdorimi arbitrar i dhunës në situata konfliktesh të armatosura ndërkombëtare apo të brendshme.

Ligji i ri parashikon gjithashtu që kërkesa për azil e aplikantit që vjen nga një vend i sigurte shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar.

Sa pak shqiptarë kanë marrë azil...

Edhe pa përfshirjen e Shqipërisë në listën e vendeve të sigurta, numri i shtetasve shqiptarë që kanë përfituar azil në Greqi ka qenë jashtëzakonisht i vogël.

Vetëm 0,2% e aplikimeve kanë marrë përgjigje pozitive, pra u është dhënë azil.

Shqiptarët kryesojnë listën me refuzimet më të mëdha, dhe pasojnë shtetasit nga Pakistani dhe Bangaldeshi.

Në anën tjetër, 99,6% e shtetasve nga Siria që kanë aplikuar kanë marrë azil dhe pas tyre vijojnë shtetasit nga Jemeni (99,3%), Palestina (97,9%), e me radhë...

Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2019, paraqitën kërkesë për azil 1996 shtetas shqiptarë.

Ndaje me miqte