Grupi parlamentar i PD-së vendos djegien e mandateve
Tribuna TV
18 Shkurt 2019
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur unanimisht për djegien e mandateve”, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediet, pas mbledhjes së grupit.
“Duke pasur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare ku ndodhet vendi për shkak të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë... Grupi parlamentar vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të Partisë Demokratike në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafies në zgjedhjet e manipuluara të vitit 2017”, tha Basha.
Vijon deklarata e kreut të opozitës:
Të dashur bashkëqytetarë,
Në përfundim të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ju njoftoj për vendimin që grupi mori me votë unanime.
Duke patur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare, ku ndodhet vendi:
Për shkak të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, siç dëshmojnë edhe dosjet gjyqësore të publikuara nga mediat ndërkombëtare;
Për shkak të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale;
Të eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë;
Të eliminimit të Gjykatës Kushtetuese;
Të kapjes totale të sistemit të drejtësisë;
Të paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive të shqiptarëve duke përfshirë të drejtën e jetës, shëndetit dhe pronës;
Duke shkaktuar një situatë të paprecedentë të krizës ekonomike, të emigracionit masiv kombëtar dhe gjendjes katastrofale të mjerimit social;
Duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare;
Vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të Partisë Demokratike në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike autorizoi Kryetarin e Partisë të ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.