0030 210 33 18 483

Grushti i shtetit i 21 prillit 1967; shtatë vitet që e mbajtën Greqinë “në allçi”...

Robert Goro 21 Prill 2018

Sot mbushen 51 vjet nga grushti i shtetit i 21 prillit 1967 dhe instalimit të juntës së kolonelëve, që sundoi në Greqi deri në korrik 1974.

Duke shfrytëzuar vakuumin e krijuar për shkak të zënkave midis politikanëve që në masë të madhe manipuloheshin nga Pallati Mbretëror (i cili ndenjti duarkryq përballë grushtit të shtetit), kolonelët arritën të imponoheshin menjëherë, me anë të masave të rrepta ushtarake. Ata përdorën pa kursim dhunën dhe raprezaljen, në përpjekje për të shtypur çdo shkëndijë rezistence, ngado që të vinte ajo. 

Shumë politikanë të shquar u rrahën e u torturuan e më pas u burgosën e u internuar në ishuj të shkretë. Të tjerë, morën rrugën e mërgimit, duke organizuar që atje rezistencën kundër diktaturës së kolonelëve, e duke i prezantuar opinionit ndërkombëtar fytyrën e vërtetë të diktatorëve të Greqisë.

Si rezultat i kësaj veprimtarie intensive të zhvilluar jashtë vendit, Greqia e kolonelëve u përjashtua nga Këshilli i Europës, më 1969.

Ndërkaq, Parlamenti Europian, më 10 maj 1967 (pra njëzetë ditë pas grushtit të shtetit), kishte miratuar një rezolutë ku theksohej se “marrëveshja e asociimit ndërmjet KE dhe Greqisë do të mund të zbatohet vetëm nëse institucionet demokratike të qeverisë dhe liritë politike dhe sindikaliste vendosen në Greqi”.

Deri në fillim të viteve 1970-të, regjimi diktatorial kishte arritur të stabilizohej, në sajë të dhunës dhe propagandës e demagogjisë. Ndërkaq, ishte e vështirë të përcaktohej qartë jetëgjatësia e juntës. Kjo mund të arrihej, vlerësonin udhëheqësit ushtarakë, vetëm me anë të një “liberalizimi” gradual e të centralizuar, çka e tentuan nëpërmjet një kushtetute më të “moderuar”, heqjes së ligjit ushtarak nga kryeqyteti dhe amnistimin e shumë të burgosurve politikë. Për ta bërë më të besueshëm “reformimin” lideri i grushtit të shtetit Jeorgjios Papadopulos, u betua më 1973 si president i republikës dhe u krijua për herë të parë që nga vendosja e juntës, një qeveri e përbërë nga civile dhe e drejtuar nga politikani Spiros Markezinis.

Por këto masa nuk arritën të bindnin kundërshtarët e juntës, jashtë dhe brenda vendit. Në Greqia, studentët përbënin subjektin e vetëm shoqëror dhe terrenin ku mund të organizoheshin lëvizje masive kundër juntës. Momenti më kulmor i këtyre lëvizjeve ishte revolta e Polytehnio-s (Universitetit Politeknik të Athinës), në nëntor 1973.

Revolta filloi me bojkotimin e mësimeve nga ana e studentëve dhe më pas një grup i tyre, i vetëquajtur “të rrethuarit e lirë”, u ngujua brenda mjediseve të Universitetit, ku nëpërmjet një radiostacioni amator, studentët iu drejtuan gjithë popullit të Athinës me mesazhin që mbeti emblematik: “Ju flet Polytehnio. Popull i Greqisë, Polytehnio është flamurtari i luftës tonë, i luftës tuaj, i luftës tonë të përbashkët kundër diktaturës dhe për demokracinë!”.

Përpara Universitetit Politeknik u grumbulluan mijëra njerëz, ndërsa në rrugët përreth dhe në rrugë të tjera qendrore të Athinës u ngritën barrikada dhe u zhvilluan përleshje midis studentëve e qytetarëve dhe policisë. Jehona e revoltës u përhap edhe në qytetete kryesorë të vendit.

Në ditën e katërt, më 17 nëntor, qeveria vendosi të përdorë tanket për të shtypur reformën. Para syve të shqyer të njerëzve, tanket rrëzuan muret rrethuese të universitetit, ndërsa nga pas u shkonin komandos që kryen arrestimin e të ngujuarve. Radioja e Polytehnio-s vazhdoi transmetimin edhe për 40 minuta të tjera pas ndërhyrjes së tankeve. Me qindra ishin të plagosurit, ndërsa spekulimeve për numrin e të vdekurve u dha fund një hetim që përfundoi në vitin 2003: 39 njerëz, kryesisht të rinj kishin humbur jetën, 16 prej të cilëve nuk ishin identifikuar as pas 30 vjetësh...

Vetëm një javë pas shtypjes së përgjakshme të revoltës studentore, Papadopulos u rrëzua nga një bashkëpunëtor i ngushtë i tij dhe shef i policisë sekrete ushtarake, Dimitris Ioannidis. Në korrik 1974, Ioannidis vë në jetë planet e tij për rrëzimin e presidentit të Qipros, krypepiskopit Makarios, pas vendimit të këtij të fundit që të përgjysmojë numrin e ushtarëve grekë në gardën kombëtare. Grushti i shtetit i krijoi mundësinë Turqisë që të ndërhynte, më 21 korrik 1974 në pjesën veriore të ishullit (me pretekstin për të mbrojtur komunitetin turko-qipriot që jetonte aty), të vendoste aty sundimin e vet që e mban deri më sot. Pas këtij zhvillimi, ndërgjegjësimi për gjendjen kritike dhe eventualiteti i një konfrontimi të armatosur midis Greqisë e Turqisë, i detyroi ushtarakët t’ua linin pushtetin politikanëve. Kështu përfundoi ajo periudhë 7 vjeçare, gjatë së cilës Greqia ishte “mbështjellë në allçi”, sipas shprehjes së udhëheqësit të puçit ushtarak, Jeorgjios Papadopulos.

Si zgjidhja më e mirë u sugjerua krijimi i një Qeverie të Unitetit Kombëtar, që do të drejtohej nga Konstandinos Karamanlis, i cili, për periudhën që kishte qeverisur, ishte konsideruar si kryeministri më i suksesshëm i Greqisë së pas luftës së dytë botërore.

Konstandinos Karamanlis, që ishte vetësyrgjynosur në Paris në fillim të viteve 1960-të, mbërriti në aeroportin e Athinës, ku e priste një det i tërë njerëzish, më 24 korrik 1974, prandaj dhe kjo ditë përkujtohet si dita e përmbysjes së juntës ushtarake shtatëvjeçare dhe e vendosjes së demokracisë në Greqi.

Qeveria e Unitetit Kombëtar, në radhë të parë përforcoi pozitat e veta, legalizoi veprimtarinë e partive politike (që ishte ndaluar nga junta), përfshirë edhe të partisë komuniste që ndodhej në ilegalitet që në vitin 1944; dhe shpalli me shpejtësi zgjedhjet parlamentare.

Në ato zgjedhje, që u zhvilluan në nëntor 1974, Demokracia e re e porsakrijuar nga K. Karamanlis, fitoi 54%. Në të njëjat zgjedhje bëri “debutin e saj” edhe një parti tjetër, Lëvizja Socialiste Panhelenike – PASOK, e udhëhequr nga Andreas Papandreu.

Rezultati i referendumit të dhjetorit 1974 për sistemin kushtetues, konsolidoi me shumicë dërrmuese republikën parlamentare kundrejt monarkisë, ndërsa disa muaj më vonë u miratua edhe Kushtetuta e re e Greqisë.

Në vitet e mëpastajme, demokracia parlamentare funksionon në mënyrë të shkëlqyer, për standardet greke. Pas kryerjes së “dejuntizimit” (gjykimit dhe dënimit të krerëve të grushtit të shtetit), Konstandinos Karamanlis avancon në dy lëvizje impresionuese: duke qëndruar i tërhequr nga korpusi ushtarak i NATO-s (vendim që e kishte marrë në shenjë proteste ndaj pushtimit të Qipros Veriore nga Turqia dhe mosveprimit të Aleancës), kryeministri grek iu përkushtuar anëtarësimit të Greqisë në Tregun e Përbashkët Europian (sot Bashkimi Europian), si anëtare me të drejta të plota, çka e arriti përfundimisht më 1981. Dhe së dyti, i vuri sektorët e rëndësishëm të ekonomisë nën kontrollin e shtetit, duke shtetëzuar transportet, rafineritë e naftës, etj, dhe duke imponuar një periudhë shtrëngese ekonomike.

Ndaje me miqte