0030 210 33 18 483

Handelsblatt: Investitorët zbulojnë Greqinë

Tribuna TV 02 Korrik 2018

"Për një kohë të gjatë, mjaft investitorë i shmangeshin Greqisë. Tashmë kjo po fillon të ndryshojë”, vë në dukje gazeta ekonomike gjermane “Handelsblatt”.

“Greqia iu largua zonës së rrezikshme. Grexit nuk përbën më problem, në gusht programi i shpëtimit mbaron. Pas tetë vitesh në krizë ekonomia po zhvillohet sërish, madje për pesë tremujorë rresht”, vazhdon Handelsblatt.

“Enti i privatizimeve, TAIPED, shpreson të inkasojë sivjet më shumë se 2 miliardë euro. Duke kapur kështu objektivin vjetor, për herë të parë që kur u krijua, në 2011-n”, shton gazeta gjermane.

Ministri i energjisë, Jorgos Stathakis, vlerëson se të ardhurat e mundshme nga privatizimet mund të arrijnë maksimumi në 15 miliardë euro.

Nga fillimi i programit, në 2011, janë finalizuar 38 projekte privatizimesh. Por këto sollën vetëm 4,74 miliardë euro në arkën e TAIPED.

Për 2018-n, qeveria dhe kreditorët kanë vënë si objektiv inkasimin e 2 miliardë eurove. Ky objektiv mund të arrihet, vlerëson Handelsblatt.



Rekord i ri turistik për Greqinë

Më tej, gazeta ekonomike gjermane thotë se Greqia pret një tjetër rekord në ardhjet e turistëve për vitin në vazhdim. Kompania gjermane Fraport, mori me koncesion menaxhimin e 14 aeroporteve rajonale të vendit vitin e kaluar.

Pesë muajt e parë të këtij viti, Fraport Greece njoftoi një rritje prej 11% të numrit të pasagjerëve. Performanca është kaq e mirë, saqë Fraport ka shprehur interesimin për 23 aeroporte të tjera rajonale në Greqi, të cilat vazhdon t’i menaxhojë shteti.

Sipas Bankës së Greqisë, numri i turistëve të huaj në tremujorin e parë të vitit u rrit me 14% në raport me vitin paraardhës, thekson Handelsblatt.

Ndaje me miqte