Haradinaj: Marrëdhëniet me SHBA-të të pacenueshme - tarifat nuk i heqim
Zëri i Amerikës
12 Shkurt 2019
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të martën se marrëdhënia e ngushtë në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e pacenueshme, pavarësisht dallimeve që shfaqen ne opinione, ndërsa ritheksoi qëndrimin se tarifat ndaj mallrave serbe hiqen bashkë me njohjen nga Serbia.
Ai i bëri këto komente pas një takimi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, në të cilin është diskutuar për situatën e krijuar pas vendosjes së tarifave ndaj mallrave serbe, për shkak të të cilave janë pezulluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila kushtëzon bisedimet me heqjen e tarifave.
Shtetet e Bashkuara kërkojnë pezullimin e tyre dhe tashmë kanë ndërmarrë edhe veprime trysnie ndaj qeverisë e cila refuzon të bëjë një gjë të tillë.
Një ditë më parë u publikua vendimi për anulimin e një vizite të planifikuar të komandantit të Gardës Kombëtare të Iowas, Timothy Orr. në Kosovë, për shkak të tarifave të Kosovës.
Ambasadori Kosnett nuk ka komentuar takimin e sotëm me kryeministrin Haradinaj i cili tha ndërkaq se "është qëndrim i qartë i Departamentit të Shtetit por edhe institucioneve tjera të Amerikës, pra janë unik dhe ata sugjerojnë që të pezullohet taksa që t’i hapet rrugë dialogut dhe është përsëritur edhe sot në takim dhe është një qëndrim i qartë i institucioneve të Amerikës".
Ai ritheksoi se tarifat janë të lidhura me njohjen nga Serbia dhe nuk duhet të ndërlidhen me bisedimet.
Ndaje me miqte