0030 210 33 18 483

Hesht përgjithmonë i jashtëzakonshmi Arben Duka

TV TRIBUNA 14 Dhjetor 2021

Poeti i njohur Arben Duka, është ndarë sot nga jeta në moshën 64-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Unionit të gazetarëve, Aleksandër Çipa, sipas të cilit Arben Duka vuante prej kohësh nga probleme të rënda shëndetësore.

“Lamtumirë Arben Duka! Mirëmbeç Poet i pavdekshëm!!!”, u shpreh Çipa.

Arben Duka u lind në Labovë të Gjirokastrës. Ai kreu Akademinë Ushtarake dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Duka dallon për një biografi shumë të pasur letrare dhe artistike.

Ai është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara gjer në pesë herë.

Është autor i rreth tre mijë këngëve duke filluar qysh nga viti 1974. Ka dhjetëra çmime si autor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Është autor i mijëra e mijëra vargjeve humoristike dhe satirikë në shumë të përditshme dhe periodike. Duka është autor i tekstit të Himnit të Policisë së Shtetit.

Gazetari i njohur Roland Qafoku i ka bërë intervistën e fundit Arben Dukës, siç shprehet në një postim në Facebook, të cilin po e ribotojmë.

Bota e poetëve sot është e trishtë. Poeti Arben Duka ka ndërruar jetë dhe ky lajm i trishtë është shoqëruar me dhjetra mesazhe e komente ngushëlluese. Unë duhet të jem gazetari që i ka marrë Arben Dukës intervistën e fundit televizive. Më 4 shtator 2017, për rreth dy orë në studio dhe disa herë takimeve me të te kafja në rrugën Komuna e Parisit ku banonte, realizova një emision që besoj si qershi mbi tortë kishte publikimin e një portreti për të, të cilin po e risjell sot. Arben Duka kishte edhe kundërshtarë politikë. Shpesh me të mund të mos bije dakord. Por askush nuk mund të mohojë talentin e tij. 1 milionë vargje, autor i 50 vëllimeve poetike, autor i 3 mijë teksteve të këngëve, mes tyre autor i 50 teksteve të festivaleve të RTSH në të cilat 7 janë vlerësuar me çmime të para, ai mbetet një prodhimtar si askush tjetër. U prehsh në paqe Arben Duka! Poezitë dhe sidomos tekstet e tua të këngëve do ti kemi përherë në mendje. Më poshtë portreti im për Arben Dukën publikuar më 4 shtator 2017.

ARBEN DUKA, EDITORIALISTI I VETËM NË VARGJE

4 shtator 2017

Nga ROLAND QAFOKU

Prej shumë vitesh Arben Duka ulet në të njëjtin karrige, të së njëjtës tavolinë, të të njëjtit lokal për të gjerbur kafenë e mëngjesit. Në krye të rrugës “Komuna e Parisit” në Tiranë nuk janë të paktë ata që krekosen se e njohin Ben Dukën. Se e kanë komshi, se pinë kafe me të, fjalosen dhe deri debatojnë për politikën e ditës. Telefonin nuk e heq nga dora. E ka flakur fare kompjuterin dhe në aparatin celular ka gjetur mënyrën më unikale të të shkruarit. Gishtat lëvizin në tastierën e një NOKIA tip i vjetër me të njëjtën shpejtësi dhe fuqi si të punonin në një makinë shkrimi “Olivetti” që tashmë u përkasin muzeumeve. Aty shkruan vargjet, aty shkruan tekstet, aty shkruan gjithçka me një shpejtësi që të lë pa fjalë. Por habia më e madhe është se si mund të krijojë aty. Por ai e ka kthyer në zgjidhje fitoren e tij. Gjithsesi, pavarësisht përplasjeve me teknologjinë ai mbetet po ai: ARBEN DUKA.

Prodhimtar si një det dhe oqean që nuk i duhet kurrë fundi.

Cilësor, si një produkt i teknologjisë së fundit.

Pozitiv si të ishte mik me profetin Muhamed dhe me Jezu Krishtin.

Shpotitës dhe therës ndaj të liqve dhe ligësive si të ndëshkonte vetë Zoti dhe plot humor që të bën të mbash barkun me dorë si të kishte lindur në Londër.

Arben Duka nuk njeh as moshë e as limit dhe në jetë ka bërë e fituar shumë beteja.

Autor i 1 milionë vargjeve, autor i 50 vëllimeve poetike, autor i 3 mijë tekste  këngësh mes tyre autor i 50 teksteve të festival të RTSH në të cilat 7 janë vlerësuar me çmime të para, Arben Duka mbetet prodhimtari më i madh në historinë e letërsisë shqipe në të gjitha kohrat.

Asnjëherë nuk ndalon Arben Duka as kur guxoi të garonte për kryetar bashkisë së Tiranës në vitin 2003 përballë Edi Ramës dhe Spartak Ngjelës për të cilën do të mbahet mend për sloganin humoristik:

SLOGANI I FUSHATËS

O njeri i varfër,

që nuk nxjerr dot bukën.

Ç’e do Edi Ramën!

Voto Arben Dukën!

Nuk ka asnjë politikan që të mos ketë kaluar pa një analizë nga gishtat në celularin e Arben Dukës. Nga Ahmet Zogu te Enver Hoxha. Nga Sali Berisha te Fatos Nano dhe Edi Rama e Lulzim Basha. Arben Duka u ka bërë të gjithëve epikrizën e jetës së tyre politike. Por Arben Duka nuk la pa analizuar fenomene, shfaqje, të meta që me vargje plot sarkazëm janë deri në therje. Ja si e trajton ai fenomenin e kanabizimit, një nga ironitë më unikale.

PËR HASHASHIN

Të mbolla, të rrita

Të bëra si dash

Po të vunë zjarrin

O Baba Hashash

Megjithatë Arben Duka është pak i vlerësuar për atë që ka dhënë në 50 vjet krijimtari. Ndonëse është "Nderi i Qarkut Gjirokastër", "Nderi i Odries", "Nderi i Lunxhërisë", "Nderi i veteranëve të luftës", "Qytetar Nderi i Gjirokastrës", më shumë se këto tituj në qafë, Arben Duka është më shumë nder për kulturën shqiptare që ndodhet në zemrën e pothuajse çdo shqiptari.

Ashtu si në këto vargje:

Pa titull..

Rrallë mund të hasësh fjalor elegant,

ka shumë që kot të qëllojnë me gurë,

po unë lehtësisht fal një injorant,

po një zëmërlik nuk mund ta fal kurrë!

Jezusi në Botë është më paqësori,

sa ai duruar nuk ka asnjeri,

por ai të ligën në shënjë e mori,

kur tha: "Dhëmb për dhëmb edhe sy në sy!"

Pa titull..

Më të shumtit thonë: "Flas për fenomenin!",

dhe gjithë së vërtetës në anë i rrinë,

sepse asnjëherë nuk e zgjidh problemin,

nëse nuk do merresh direkt me njerinë!

Pa titull..

Lypsarin ndihmo,

në ke gjë në xhep,

po kurrë mos kërko,

kur asgjë nuk jep!..

Pa titull..

Lugën e floririt kur ti më premton,

ta kuptoj gënjeshtrën që si farë ke mbjellë,

të qe kaq e thjeshtë sa ti ligjëron,

për pak gram flori s'gërmonin aq thellë!

Pa titull..

Beson kur ke halle,

dhe s'ke aspak faj,

gënjeshtra e madhe,

besohet kollaj!

Ndaje me miqte