Hetime për rrëzimin e helikopterit të Kobe Bryant
Zëri i Amerikës
28 Janar 2020
Një zëdhënëse e agjencisë amerikane për sigurinë e transporteve tha se ka besim që hetuesit do ta zbulojnë shkakun e aksidentit vdekjeprurës me helikopter, që i mori jetën superstar-it të basketbollit Kobe Bryant, vajzës së tij 13-vjeçare dhe shtatë personave të tjerë.
Jennifer Homendy, zëdhënëse e Bordit për Sigurinë e Transportit Kombëtar, tha se hetuesit mendojnë që helikopteri është ngjitur për të shmangur një shtresë resh, pak përpara se të përplasej në një kodër pranë qytetit Los Anxhelos.
“Kërkojmë shumë informacion gjatë hetimeve. Janë të dhënat e pilotëve, të dhënat e kompanisë, informacioni mbi motin, komunikimet me kontrollin ajror. Pra, nuk është vetëm hetimi i pjesëve. Prandaj, kam shumë besim se do ta përcaktojmë shkakun e aksidentit”, tha zonja Homendy.
Kontrollorët e trafikut ajror thonë se gjëja e fundit që dëgjuan prej helikopterit ishte mesazhi i pilotit se i duhej të ngjitej që të shmangte retë.
Sipas rregullave federale, helikopterët nuk janë të detyruar të kenë kuti të zeza.
Helikopteri po shkonte drejt një turneu basketbolli për të rinjtë në Akademinë MAMBA, e emërtuar për nder të Bryant dhe ku do të luante e bija, Gianna.
Ndaje me miqte