0030 210 33 18 483

Himariotët: Larg duart nga tokat tona!

Tribuna TV 17 Dhjetor 2018

Shoqata Patriotike “Himara – Himariotëve”, që përfaqëson banorët e Bregdetit, që nga Palasa deri në Nivicë-Bubar, u ka dërguar një letër drejtuesve kryesorë të shtetit si dhe ambasadorëve të SHBA dhe BE në Tiranë.

Në letër shprehet kundërshtimi i argumentuar ndaj vendimit të fundit të qeverisë për të shpallur si tokë shtetërore 46 parcela dhe kalimin e tyre në administrim të Ministrisë së Turizmit. Në letër vihet në dukje se “për këto parcela banorët autoktonë posedojnë aktet e marrjes në pronësi, lëshuar nga pushteti vendor, por që në asnjë rast dhe jo për faj të tyre, nuk kanë gëzuar titujtë dhe çertifikat e pronësisë, për shkak të vonesave, sorollatjeve dhe shtyrjeve të njëpasnjëshme nga institucionet shtetërore përkatëse”.

Shoqata parashtron edhe disa kërkesa, duke theksuar se u drejtohet atyre, “si Drejtuesë kryesorë të Shtetit dhe si partnerë kryesorë strategjik të Shqipërisë, të ndërhyhet për të hequr dorë nga zbatimi i ligjeve dhe i vendimeve, të cilat mbjellin vetëm furtunë, duke punuar për miratimin dhe zbatimin e dispozitave dhe akteve që kthejnë qetësinë, mirëkuptimin, prosperitetin dhe stabilitetin tek banorët autoktonë të Bregdetit Jonian, kaq shumë të munguara këto deri më sot”.

 

 

LARG DUART NGA HIMARA !

Letër e Hapur Drejtuar:

Predidentit të Republikës zotit Ilir META,

Kryetarit të Kuvendit zotit Gramoz RUCI,

Kryeministrit zotit Edi RAMA,

Për njoftim:

Kryetarit të PD zotit Lulzim BASHA 

Ambasadorit të SHBA – TIRANË

Ambasadorit të BE – TIRANË

Të nderuar zorërinjë,

Pas makinacioneve të stërgjatura dhe veprimeve mashtruese e të kamufluara, gjatë 28 viteve të qeveritarëve postkomunist të Tiranës, që asnjëherë nuk çuan në kryerjen e menaxhimit të pronave dhe pasjisjen e banorëve të Bregdetit Jonian Palasë-Nivicë Bubar me tituj e çertifikata pronësie; në të kundërtën uzurpatorëve dhe plaçkitësive të filetove më të mira të Bregdetit, mafies financiare dhe politike shqiptare dhe e huaj, me origjinë jo Himariote, u janë dhënë titujë e çertifikata pronësie dhe leje ndërtimi për ngritjen e resorteve të ndryshme turistike në Dhrale, Megali Hora, Dhrimadhes, Jal, Livadh, Porto Palermo e deri në Kakome, banorët e kësaj treve me përparësi turizmin, kohët e fundit u ndeshën me ndodhi të papritura, të cilat i kanë ngritur ata në një revoltë të përgjithëshme:

Qeveria e Tiranës në unison me pushtetin vendor- Bashkinë e Himarës, të ndodhur para humbjes së betejës me Himariotët në lidhje me prishjen e disa banesave dhe grabitjen e pronave që parashihte i ashtuqujturi projekt i rikualifikimit urban të qëndrës së qytetit, me fshehtësi, pa dijeninë e banorëve dhe, mbi të gjitha, pa bërë regjistrimin e pronave, sikurse kishin rënë dakord në negociatat e zhvilluara me dy ministrat e qeverisë Rama, papritur nxorrën në dritë një projekt tjetër dhe pa humbur kohë dërguan fandromat për ndërtimin e një rruge në tokat private, që për shkak të mospasjes së titujve të pronësisë i konsiderojnë ato toka publike!. Dhe kjo në kohën kur në Himarë historikisht nuk ka pasë toka shteti, sikurse nuk ka pasë as bejlerë dhe as çifligarë. Projekt i cili përveç se shkul ullinjë shekullorë dhe grabit pronarët, u prishi qetësinë himariotëve duke i ngritur në një revoltë disa ditore e që vazhdon. 

Dhe pa harritur ende në qetësimin e gjakrave, papritur, siç thotë populli, të shuhen zjarret, Kryeministri i vendit z. Edi Rama, shfrytëzoi zvarritjen dhe boshllëkun e krijuar nga mospasja nga Bregdetasit Palasë Nivicë Bubar të titujve dhe çertifikatave të pronësisë, dhe me vendimin nr. 708 datë 21 nëntor 2018 shpall arbitrarisht shtetëzimin në Bregdetin Jonian të 46 parcelave, nga të cilat 41 prej tyre me një sipërfaqje prej afro 1400 ha, në juridiksionin e Bashkisë së Himarës (konkretisht në Gjilekates, Dhrimadhes, Vuno, Livadh, Potam, Filikur, Porto Palermo, Piqeras, Lukovë, Shën Vasil dhe Nivicë Bubar) dhe kalimin e tyre në pronësi (administrim) të Ministrisë së Turizmit, me qëllim dhënie koncesioni për 1 euro partnerëve publikë privatë, pavarësisht se për këto parcela banorët autoktonë posedojnë aktet e marrjes në pronësi, lëshuar nga pushteti vendor, por që në asnjë rast dhe jo për faj të tyre, nuk kanë gëzuar titujtë dhe çertifikat e pronësisë, për shkak të vonesave, sorollatjeve dhe shtyrjeve të njëpasnjëshme nga institucionet shtetërore përkatëse.

Qeveria Rama, sikurse edhe në të kaluarën, këtë akt përpiqet ta argumentojë me arsyetimet e përparësisë së investimeve strategjike për turizmin, në të vërtetë përmes tij në vend që të ndihmojë në një mirëkuptim dhe transparence demokratike, ajo nxiti përçarrjen dhe urrejtjen, duke shprehur hapur qëndrimin e saj armiqësor dhe dashakeqas ndaj Bregdetasve. Me këtë akt arbitrar, thellësisht antidemokratik dhe kryesisht diktatorial, ajo merr përsipër përmbylljen e një projekti të kahershëm, hartuar në kanceleritë qeveritare kleptokratike e korruptive të Tiranës, që synon zhveshjen e banorëve kryesisht ortodoksë, të Bregdetit Jonian - Palasë Nivicë Bubar, nga pronat e stërgjyshërve të tyre, me objektiv final ndryshimin e përbërjes demografike, etnike, ekonomike dhe religjoze të popullsisë së kësaj treve, detyrimin e banorëve për të marrë rrugën e mërgimit. 

Ky akt thellësisht dhe plotësisht kleptokratik, bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me të gjitha Aktet dhe Konventat Ndërkombëtare të nënshkruara nga Tirana, dhe përfaqëson shkelje e marrje nëpër këmbë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në radhë të parë të drejtën dhe lirinë e pronës. Me këtë akt çnjerëzor, Kryeministri Rama, nuk përfill dhe shkel të drejtën pronësore banorëve autoktonë vendas, ndërsa të ashtuqujturëve partnerëve publikë privatë, kësaj kategorie oligarkësh e mafiozësh, që edhe sot e kësaj dite, një pjesë e mirë prej tyre, nuk njohin jo vetëm historinë e Himarës, kësaj treve që ndër vite “ka prodhuar më shumë histori e trimëri se sa bukë”, dhe që para disa vitesh i cilësonte, si njerëz që nuk kanë as idenë më të vogël për detin, pa bërë fjalë për kufitarët me të cilët kufizohen parcelat prej afro 1 400 ha që u vë në dispozicion, që me miliardat e siguruara në rrugë të zezë dhe korruptive të kryejnë investime strategjike në turizëm. 

Shoqata patriotike “HIMARA E HIMARIOTËVE”, duke shprehur edhe mendimin e mbarë Himariotëve dhe banorëve të Bregdetit Jonian nga Palasa në Nivicë Bubar, veprimin e mësipërmë e sheh të pashkëputur por në vazhdën edhe të veprimeve të mëparëshme të qeverive Shqiptare, që Bregdetasit - trashëgimtarët e ligjshëm shekullor në vendëlindjen e tyre i zhveshin nga pronat stërgjyshore dhe i kthejnë në skllevër, që përçmojnë e marrin në për këmbë dinjitetin dhe integritetin personal dhe kolektiv të tyre, nuk ka si ta emërtojë ndryshe, veçse një persekutim të paramenduar i tipit gjenocid që i kryhet Himarës dhe mbarë Bregdetit Jonian nga Qeveria e Tiranës. Duke u distancuar plotësisht me të, ajo njëherësh e konsideron Vendimin dhe aktet e mësipërme, si veprime TURPI të një qeverie, që në aparencë përpiqet t’i veshë vetes vellon demokratike dhe me pikësynime gjoja europjane perëndimore, të cilat do t’i kishin zili edhe Sulltanët më të egër të Perandorisë Otomane, që për 500 vjet rresht nuk mundën të mposhtnin Himarën dhe Himariotët, por të detyruar nga forca e armëve u njohën venomet e tyre historike. Veprime dhe akte ligjore të kësaj natyre, nuk i shërbejnë aspak të ardhmes, por ngjallin racizmin, dhe frymën e urrejtjes së vjetër nacional-religjoze ballkanike. Në vend që ato të të afrojnë me Europën Perëndimore dhe me synimet e vendosjes së një shteti ligjor, të largojnë gjithnjë e më shumë prej tyre, duke të afruar vetëm me Anadollin dhe Mesjetën e errët. 

Në këto kushte, të gjithë Himariotët nga Palasa në Nivicë Bubar, të mëdhenj e të vegjël, janë të indinjuar dhe të shqetësuar për të sotmen dhe të ardhmen e fëmijve të tyre. Ata shpejt a vonë me siguri, do të ngrihen dhe do të marrin në dorë, me vetëgjygjësi fatin e tyre. Të dy duart për një kokë, në fund të fundit, janë. Historia u ka mësuar himariotëve se pronat dhe amaneti i te parëve, mund të mbrohen po qe nevoja edhe me gjak, si edhe të mos mposhten asnjë herë nga hajdutët dhe gllabëruesit! 

Prandaj sa s’është vonë, për të mos shkuar në situata ekstreme dhe të padëshiruara, Shoqata “HIMARA E HIMARIOTËVE” Ju drejtohet Juve si Drejtuesë kryesorë të Shtetit dhe si partnerë kryesorë strategjik të Shqipërisë, të ndërhyhet për të hequr dorë nga zbatimi i ligjeve dhe i vendimeve, të cilat mbjellin vetëm furtunë, duke punuar për miratimin dhe zbatimin e dispozitave dhe akteve që kthejnë qetësinë, mirëkuptimin, prosperitetin dhe stabilitetin tek banorët autoktonë të Bregdetit Jonian, kaq shumë të munguara këto deri më sot.

Për këtë Ju sugjerojmë:

a. abrogimin e ligjit 7501, të projekteve dhe akteve të tjera juridike, të cilat pronat e pamenaxhuara dhe pa tituj pronësie, si dhe ato të shtetëzuara pa asnjë shpërblim nga regjimi diktatorial monopartiak, siç është rasti i pronave në bazën ushtarake të Porto Palermos, ose i ngritjes së Ndërmarrjes Bujqësore të Bregdetit etj., i konsiderojnë pronë publike, 

b. kthimin e pronave pronarëve të ligjshëm Bregdetas, dhe pajisjen e tyre me titujt e pronësisë, sipas disponimit të trungut familjar para Reformës Agrare të viteve 1945-46, ose para hyrjes në kooperativat bujqësore, përfshi edhe gjithë qytetarët me origjinë nga Bregdeti Jonian, që për arësye të ndryshme më 31 korrik 1991 nuk kishin gjëndjen civile në fshat, pa pritur të ashtuqujturin menaxhim, sepse këto prona kanë poseduesit e tyre autoktonë, për të cilat përmes regjistrave kadastral shtetërorë paguanin tatime dhe taksa financiare ose detyrimet në natyrë në vitet e Mbretërisë së Zogut, ose të regjimit diktatorial njëpartiak,

c) mos dhënien e asnjë titulli pronësie shtetasve me origjinë jo bregdetas, pa vërtetuar, sipas dispozitave të nenit 41 të Kushtetutës së Shqipërisë, origjinën e krijimit të saj, si dhe verifikimin e gjithë titujve të dhëna deri më sot,

ç) anulimin e dispozitave ligjore, të koncensioneve dhe projekteve për ngritjen resorteve e të fshatrave turistikë, shkurt për investime strategjike për turizmin, të miratuara deri më sot, që nuk mbajnë parasysh respektimin e së drejtës së pronës dhe që pronarin legjitim – Bregdetasin, nuk e konsideron partnerin primar dhe kryesor në realizimin e tyre, ku firmat zbatuese dhe sponsorizuesit e ndryshëm së pari duhet të lidhin marrëveshje dhe kontratë me pronarin legjitim të tokave, sepse shteti në këtë Krahinë historikisht nuk ka pasur dhe nuk ka disponuar as një cm2 tokë pronë të vetën. 

d) në rastet kur pronat në Bregdetin Jonian, shfrytëzohen për interesa publike dhe me karakter të përgjithshëm, jo për resorte e fshatra turistikë siç veprohet deri më sot në interes të pasurimit të oligarkëve mafiozë, dëmshpërblimi i pronarëve të bëhet sipas çmimeve, që formohen lirisht në treg dhe jo me listën e çmimeve të miratuara në kanceleritë shtetërore. 

Ju sigurojmë me këtë rast, se Himariotët kanë qënë dhe janë më tepër se kushdo tjetër, në favor të zhvillimit dhe prosperitetit të Bregdetit Jonian, paqësisht, me transparencë, dialog dhe mirëkuptim, duke vënë në themel dhe partner kryesor të këtij zhvillimi Himariotin 

Faleminderit për mirëkuptimin.

Himarë, më 15.12 2018 

Për Shoqatën “HIMARA E HIMARIOTËVE”

Kryetari

Prof. Dr. Priamo BOLLANO

Ndaje me miqte