0030 210 33 18 483

Hysaj dhe Cikalleshi: Fokusi maksimal te Hungaria

ATSH 07 Tetor 2021

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare po përgatitet intensivisht për dy nga ndeshjet më të rëndësishme të kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Katar 2022” ndaj Hungarisë dhe Polonisë.

Dy ditë përpara sfidës së parë ndaj Hungarisë në transfertë, kanë dalë në një konferencë për mediet kuqezinjtë Elseid Hysaj dhe Sokol Cikalleshi, të cilët janë ndalur të flasin për këtë ndeshje të parë që do të zhvillohet në stadiumin “Puskas Arena” në Budapest.

Hysaj u shpreh se skuadra është gati për këtë sfidë, duke theksuar se djemtë janë përgatitur mjaft mirë, ndërsa tha se drejt Hungarisë do të shkojnë vetëm për fitore.

“Skuadra është e gatshme për ndeshjen ndaj Hungarisë sepse siç e kemi parë edhe në ndeshjet e kaluara që kemi luajtur shumë mirë. Kemi analizuar edhe ndeshjen e kaluar me trajnerin dhe jemi duke përgatitur këtë ndeshje në mënyrë sa më të mirë të mundshme dhe besoj se jemi gati për këtë ndeshje”, tha Hysaj.

“Me Poloninë kemi gabuar ne, e kemi thënë edhe kur mbaroi ndeshja, në disa raste. Por kemi studiuar Hungarinë sepse është një ndeshje e rëndësishme. Po nuk fituam këtë, me Poloninë është pak më ndryshe. Ne duhet të shkojmë tani në Hungari, ta fitojmë ndeshjen atje dhe pastaj të mendojmë mirë për Poloninë se si duhet të përballemi”, u shpreh Hysaj, i cili shtoi se, “në këto dy ndeshje ne shkojmë për 6 pikë. Me të gjithë këta lojtarë që kemi në grup, shkojmë motivisht shumë lart për t’i fituar të dyja sepse i kemi mundësitë. Duhet të besojmë te vetja jonë”.

Edhe Sokol Cikalleshi, sulmuesi shqiptar që po kalon një formë mjaft të mirë në Turqi, me skuadrën e Koniasporit u shpreh se kuqezinjtë janë në një formë mjaft të mirë dhe theksoi se duhet të vazhdojnë të tregojnë se janë grup si në ndeshjet e fundit. Cikalleshi tha se i gjithë grupi është i gatshëm për të dhënë maksimumin në fushë, teksa u shpreh se prezenca e tifozëve në “Air Albania” do t’i ndihmonte shumë në ndeshjen ndaj Polonisë.

I pyetur nëse pret të jetë titullar ndaj Hungarisë, Cikalleshi tha se, “Ndihem mirë në momentin që vazhdoj të kontribuoj për ekipin kombëtar përgjatë gjithë këtyre viteve. Gjithmonë jam munduar të bëj më të mirën dhe të jap maksimumin tim. Shpresoj që edhe në vazhdim, në momentin që trajneri e shikon të arsyeshme dhe në momentin që unë mund ta ndihmoj ekipin në arritjen e rezultateve, duke u nisur nga këto dy ndeshje, uroj që të kem sa më shumë minuta dhe të arrij të shënoj pasi kam pasur një vazhdimësi të mirë dhe ta mbaj sa më gjatë”.

“Ekipi duhet të funksionojë si një ekip i tërë, si një grup. Të gjithë lojtarët në klubet e tyre po marrin minuta dhe kjo besoj se është më e rëndësishme. Uroj që të vazhdojmë të jemi grup, siç kemi treguar kohët e fundit. Kemi bërë ndeshje të mira dhe kemi bërë edhe rezultate. Janë dy ndeshje mjaft të rëndësishme për ne. Na tregojnë se mund të qëndrojmë brenda objektivit deri në fund apo mund të mendojmë diçka tjetër. Duke qenë se jemi përpara këtyre ndeshjeve që janë shumë të rëndësishme, ne jemi të fokusuar në arritjen e dy rezultateve pozitive që mund të na dërgojnë në Botëror”, theksoi ai.

“Duke pasur Hungarinë pas dy ndeshjesh, do të dëshiroja një gol ndaj Hungarisë, pasi me fitoren ndaj Hungarisë, me ndihmën e tifozëve që do të jenë në “Air Albania” dhe duke qenë të gjithë bashkë me zjarrin e fitores ndaj Hungarisë, besoj se Poloninë dhe Levandovskin do ta mundim”, u shpreh ai.

Ndaje me miqte