0030 210 33 18 483

I arrestuar në Greqi, i sekuestrohen pasuri 12 milionë euro

ATSH 04 Nentor 2019

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Policia Shtetit njoftoi të hënën finalizimin e megaperacionit të koduar “Furtuna”, për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Në këtë kuadër u sekuestruan pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë të përllogaritur 12 milionë euro.

Sipas Policisë, pasuritë e shtetasit Arjan Shanaj, banues në Fier, janë përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta.

Shanaj u arrestua në flagrancë në qershor 2017, së bashku me një shtetas grek, pasi u kapën në Greqi me 20 kg kokainë, me vlerë të përafërt tregu rreth 800 000 euro.

Ata merreshin me importimin, magazinimin, përzierjen, falsifikimin, ricertifikimin, trafikimin, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës nga vende të Amerikës Latine.

Menjëherë pas arrestimit në Greqi dhe shkëmbimit të informacionit me palën greke, Policia e Shtetit me iniciativë nisi hetimet proaktive ndaj shtetasit A. Sh., për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Në kuadër të këtij opoeracioni u vendos sekuestro preventive e pasurive të paluajtshme të shtetasit A. Sh dhe personave të tjerë familjarë të tij.

Këto pasuri përfshijnë: 3 shoqëri dhe konkretisht shoqëri ndërtimi e tregtimi gazi në Fier, Durrës, Tiranë, Korçë etj; 1 hotel trekatësh në Fier dhe një njësi shërbimi bashkëngjitur;

2 vila trekatëshe; 5 njësi shërbimi me sipërfaqe 7 982 m2; 3 apartamente banimi; 4 garazhe me sipërfaqe prej 1 092 m2, në Fier, Tiranë, Durrës; 8 793 m2 tokë, në Tiranë, Durrës, Fier; 20 000 euro në llogaritë bankare; një automjet me vlerë 40 000 euro.

Ndaje me miqte