0030 210 33 18 483

I jepet lamtumira e fundit Bejkush Birçes

ATSH 01 Korrik 2024

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Futbolli shqiptar i dha lamtumirën sot, legjendës Bejkush Birçe. Dikur futbollist, më pas trajneri i ekipit kombëtar e zëvendëspresident i FSHF, Birçe u nda nga jeta ditën e djeshme, në moshën 87-vjeçare, ndërkohë që sot janë kryer homazhet nga qindra sportdashës, figura të futbollit shqiptar, ish kolegë dhe personalitete të ndryshme.

Në homazhet e organizuara sot nën kujdesin e FSHF-së në stadiumin “Air Albania” morën pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, zv. presidentët e FSHF, Arben Dervishaj e Lutfi Nuri, anëtarët e KE-së së FSHF, Anila Basha e Abdyl Kuriu si edhe zyrtarë të tjerë të FSHF.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku tha se futbolli shqiptar humbi një ikonë dhe një bashkëpunëtor që të gjithë jetën e tij ia kushtoi futbollit.

Bejkush Birçe konsiderohej një model i figurave sportive në vendin tonë. Birçe e kaloi karrierën e tij si futbollist te Partizani, ndërkohë që e drejtoi më pas edhe si trajner, sikurse bëri me Naftëtarin, Flamurtarin, Lokomotivën e Durrësit dhe Dinamon.

Gjithashtu, ai mbahet mend si një nga trajnerët më të shquar të Kombëtares, teksa drejtoi kuqezinjtë në vitet ’90, në një periudhë të vështirë për vendin.

Ndaje me miqte