0030 210 33 18 483

I jepet lamtumira e fundit kryepeshkopit Anastas

ATSH 30 Janar 2025

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, është zhvilluar ceremonia mortore e Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, të cilit sot iu dha lamtumira e fundit.

Besimtarë të shumtë kishin mbushur oborrin e katedrales, ndërkohë që brenda saj gjendeshin përfaqësues të klerit ortodoks nga brenda dhe jashtë vendit, përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri etj.

Po ashtu, të pranishëm ishin zyrtarët më të lartë të shtetit, Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, Kryeparlamentarja Elisa Spiropali e të tjerë.

Në meshën e lamtumirës i pranishëm ishte edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i shoqëruar nga ministra të kabinetit të tij qeveritar si dhe Kryepeshkopi i Athinës.

Mesha e përshpirtjes u mbajt nga Patriarku Bartolomeu I, kreu botëror i Kishës Ortodokse.

Kryepeshkopi ndërroi jetë më 25 janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në spitalin “Evangelismos” në Athinë.

Pas dy ditësh homazhe, Kryepeshkopi Anastas do të prehet në kriptën e Katedrales, aty ku sipas traditës së lashtë ortodokse, varrosen prijësit e kishës që kanë ndërtuar e drejtuar tempujt e shenjtë.

Në ceremonalin përkatës mbajti fjalën e përmortshme Patriarku Ekumenik, Bartholome e pas tij, Mbikëqyrësi i Fronit Kryepiskopal, hirësi Joani, Mitropolit i Korçës, si dhe kryetari i Komisionit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave, Bishop Heinrich Bedford-Strohm.

Fjalime të përmortshme mbajtën Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ndaje me miqte