Incidenti me avionin e dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore: Si u bllokuan 276 pasagjerët në Francë?
Tribuna News Network
26 Dhjetor 2023
Avioni i cili u bllokua për katër ditë nga autoritetet franceze, fillimisht nisur nga India me 276 pasagjerë në bord, dyshohet për trafikim të qenieve njerëzore. Pasagjerët ishin në udhëtim drejt Nikaraguas. Gazetarët e agjencisë së lajmeve "Associated Press" njoftuan se kishin parë avionin e kompanisë "Legend Airlines" ngritur pasi ekuipazhi dhe pasagjerët hipën në aeroplan jashtë aeroportit Vatry, në rajonin 'Champagne'.
Administrata rajonale njoftoi se nga 303 pasagjerët që mbërritën nga India, 276 ishin në rrugë për në Mumbai dhe 25 të tjerë kërkuan azil në Francë. Pasagjerët që qëndruan në Francë u dërguan në një zonë të veçantë për azilkërkuesit në aeroportin "Charles de Gaulle" në Paris, përfshirë një foshnjë 21-muajsh dhe disa fëmijë të pashoqëruar.
Dy pasagjerë u arrestuan fillimisht në lidhje me hetimin për trafikim të qenieve njerëzore, por u liruan të hënën pasi u paraqitën përpara një gjykatësi, njoftoi zyra e prokurorit të Parisit.
Gjykatësi i cilësoi pasagjerët e bllokuar si "dëshmitarë" të çështjes, një status i veçantë që, sipas ligjit francez, ofron më shumë kohë për hetime të mëtejshme dhe mund të çojë në ngritjen e akuzave ose në rrëzimin e çështjes.
Avioni A340 i firmës "Legend Airlines" u ndal të enjten për furnizim me karburant në qytetin Vatry, ndërsa udhëtonte nga aeroporti Fujairah i Emirateve të Bashkuara Arabe për në Managua të Nikaraguas. Policia e bllokoi avionin pasi kishte marrë të dhëna anonime se kishte gjasa që po transportonte viktima të trafikimit të qenieve njerëzore.
Prokurorët nuk kanë komentuar nëse destinacioni përfundimtar i pasagjerëve mund të ishin Shtetet e Bashkuara, ndërsa këtë vit është rritur numri i indianëve që kalojnë kufirin nga Meksika për në Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet franceze po përpiqen të zbulojnë objektivin e avionit, ndërsa kanë hapur hetime në lidhje me aktivitetet e një grupi të organizuar kriminal që i ndihmonte të huajt të hynin ilegalisht ose të qëndronin në një vend, tha zyra e prokurorit.
Prokuroria nuk bëri të qartë nëse kishte dyshime për trafikim të qenieve njerëzore.
Ndaje me miqte