0030 210 33 18 483

Integrimi i Shqipërisë në BE, Greqia mbështet përshpejtimin e procesit integrues

Tribuna TV 16 Maj 2018

Në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua aktiviteti përmbyllës i projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejshëm i Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, financuar nga BE.

Në këtë aktivitet morën pjesë zëvendëskryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë Genc Gjoncaj, Dimitrios Vasileiou, Këshilltar Rezident i Binjakëzimit nga Parlamenti grek, Eleni Sourani ambasadore e Greqisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, ambasador i Italisë në Shqipëri, Monika Bylaite, shefe e Seksionit Politik, Ekonomik dhe Informacionit, Delegacioni i BE në Shqipëri, përfaqësues të shoqërisë civile, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale Besnik Dervishi, etj.

Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Sourani vlerësoi projektin e zbatuar në Kuvendin e Shqipërisë, duke shtuar se ai synonte fuqizimin e strukturave të Kuvendit për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

“Roli i parlamentit në këtë proces është vërtet shumë i madh, për shkak të volumit të madh të ligjeve që duhet të harmonizohen në kuadër të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian”, – tha Sourani.

Sakaq, ambasadorja e Greqisë u ndal edhe te procesi integrues i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas saj, vendet anëtare, por sidomos vendet fqinje si Greqia dhe Italia kanë dhënë gjithmonë mbështetjen e tyre për përshpejtimin e procesit integrues.

Dimitrios Vasileiou, Këshilltar Rezident i Binjakëzimit nga Parlamenti grek, njëherësh dhe moderator i saj vuri në dukje rëndësinë e projektit, i cili sipas tij synon të rrisë efikasitetin, përgjegjësinë, dhe transparencën e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimin në Bashkimin Europian.

“Qëllimi i tij ishte përmirësimi i funksionimit të mbikëqyrjes rregullatore të Parlamentit, në mënyrë që të forcohet përmbushja efektive e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, midis BE-së dhe Shqipërisë dhe procesit të pranimit në BE”, – tha Vasilakis.

Në fjalën e saj në këtë aktivitet, zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, u shpreh se nëpërmjet këtij projekti janë zhvilluar veprimtari në bashkëpunim të ngushtë midis ekspertëve të huaj dhe stafit të Kuvendit, gjë e cila na inkurajon për të përmirësuar kapacitet tona drejt përafrimit me standardet e BE-së.

“Rezultatet kanë identifikuar nevojat e administratës, si dhe kanë propozuar zgjidhje efektive në ato fusha ku administrata e Kuvendit ka nevojë, duke u mbështetur në praktikat më të mira europiane. Në tërësi, projekti ka forcuar bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Europës në menaxhimin e financave publike. Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj përpjekjet dhe angazhimin e administratës së Kuvendit dhe kolegëve italianë dhe grekë në arritjen e rezultateve gjatë zbatimit të 29 aktiviteteve të këtij projekti”, – tha Vasilika Hysi

Në vijim të fjalës, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Genci Gjonçaj tha se projekti është i fokusuar kryesisht te nevojat e administratës së Kuvendit të Shqipërisë dhe natyrisht e lidhur me përpjekjet e Parlamentit për t’u përgatitur në kuadër të hapjes së negociatave, apo në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Europian.

Gjithashtu, Gjoncaj theksoi faktin që diçka që rrodhi dhe përfundoi nga ky projekt u shkrua në bashkëpunim të parlamenteve tona, të strukturave administrative të parlamenteve tona.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori italian, Alberto Cutillo, përgëzoi anëtarët e Parlamentit dhe ekspertët nga Greqia, Shqipëria, Italia, Rumania dhe Kroacia, për përfshirjen në realizimin e projektit.

Cutillo e cilësoi këtë projekt si pjesë e traditës së gjatë mes miqësive ndërparlamentare të Shqipërisë dhe Italisë, marrëdhënie të cilat, Cutillo shprehu besimin e plotë në ecurinë pozitive.

“Edhe unë kam shumë besim që të gjitha aktivitetet e zhvilluara në kuadër të këtij programi për autonominë financiare dhe transparencën janë kryesore, për rrugëtimin e Kuvendit të Shqipërisë në një të ardhme të afërt. Roli i parlamentit në një demokraci që funksionon është shumë i rëndësishëm”, – u shpreh ai.

Ndërsa Monika Bylaite, shefe e Seksionit Politik, Ekonomik dhe Informacionit, Delegacioni i BE në Shqipëri, u shpreh se “… ky projekt është ndërtuar në bazat e një projekti të mëparshëm midis Hungarisë dhe Francës. Ka kryer fuqizimin e institucioneve të pavarura, ka përforcuar autonominë financiare, dhe ka përforcuar gjithashtu edhe kapacitetet administrative. Këto janë të gjitha të theksuara në raportin tonë vjetor për fuqizimin e institucioneve tona dhe për ndërtimin e sistemeve të eficencës dhe ekspertizës. Roli i parlamentit, si nga ana politike, edhe administrative do bëhet edhe më i rëndësishëm në momentin që Shqipëria do i afrohet edhe më tej Bashkimit Europian.”

Ndaje me miqte