0030 210 33 18 483

Ish-kryeministri Renzi sugjeron Merkel si ndërmjetëse në konfliktin e Ukrainës

ATSH 27 Shkurt 2022

ROMË, 27 shkurt /ATSH-DPA/-Ish-kryeministri italian Matteo Renzi i bëri thirrje NATO-s dhe Bashkimit Evropian që t’i kërkojnë ish-kancelares gjermane Angela Merkel të ndërmjetësojë në konfliktin e Ukrainës.

“Ish-kancelarja 67-vjeçare ishte një nga të paktët drejtues që ka qenë e aftë të negocionte me presidentin rus Vladimir Putin”, tha Renzi për të përditshmen italiane “La Stampa”.

“Ajo është e vetmja që mund të flasë në Moskë, Uashington dhe në të gjitha kryeqytetet dhe që do të dëgjohet”, tha Renzi.

Merkel, e cila flet rusisht, ka zhvilluar takime të shumta me presidentin rus Putin gjatë 16 viteve të saj në detyrë si kancelare që përfundoi në dhjetor.

Renzi, i cili drejtoi qeverinë italiane nga shkurti 2014 deri në dhjetor 2016, tha në një postim në Twitter dy ditë më parë se NATO-ja dhe BE-ja duhet të vendosin Merkelin si një të dërguar speciale për të takuar Putinin, duke e përshkruar ish-udhëheqësen gjermane si “të respektuar dhe mjaft me ndikim për të ndalur këtë masakër”.

Ndaje me miqte