Ish presidenti rumun, në gjyq për krime kundër njerëzimit
TV TRIBUNA
08 Prill 2019
Ish presidenti i Rumanisë Ion Iliescu do të dalë para gjyqit, i akuzuar për krime kundër njerëzimit.
Siç bëri të ditur të hënën prokuroria, Akuzat lidhen me rolin që luajti Iliescu gjatë ngjarjeve të përgjakshme që shoqëruan rrëzimin e diktatorit komunist të vendit, Nikolae Caushescu, në vitin 1989.
Iliescu e drejtoi Rumaninë nga fundi i 1989-s deri në 1996 dhe u rizgjodh president në periudhën 2000-2004.
Ndjekja penale lidhet me përdorimin e armëve të zjarrit që u kushtuan jetën qindra njerëzve gjatë ditëve që pasuan largimin e diktatorit Caushescu në 22 dhjetor 1989, në sfondin e protestave të mëdha antikomuniste.
89 vjeçari Ion Iliescu, ish zyrtar i regjimit komunist, akuzohet se ishte “truri” një “operacioni të gjerë mashtrimi dhe dezinformomi” që krijoi “një psikozë të përgjithshme që u karakterizua nga një gjendje kaosi dhe plumba vëllavrasëse”, sipas prokurorisë.
Ky operacion i mundësoi Frontit të Shpëtimit Kombëtar (FSN) që udhëhiqej nga Iliescu “të marrë pushtetin dhe të fitojë legjitimitet në sytë e popullit”.
Kur u publikuan akuzat ndaj tij, vitin e kaluar, Iliescu tha se ishte “një farsë” dhe deklaroi se ai kishte “bërë detyrën”.
“Është një moment veçanërisht i rëndësishëm për drejtësinë rumune, e cila përmbush një obligim të vetin ndaj historisë”, deklaroi prokurori i çështjes, Ogustin Lazar, në Bukuresht.
Më shumë se 860 njerëz humbën jetën dhe 2.150 u plagosën në trazirat e fundvitit 1989, sipas të dhënave zyrtare të kohës. Ata ishin viktima të besnikëve të diktatorit Caushescu.
Nikolae Causescu dhe e shoqja Helena, u ekzekutuan më 25 dhjetor 1989, pasi kaluan nga një gjykim i shpejtë, që u organizua nga fronti i Shpëtimit Kombëtar
Ndaje me miqte