Një segment i madh i mbikalimit të autostradës A 10 u rrëzua të martën në Xhenova, Italia Veriore, me rezultat të humbasin jetën të paktën 30 persona, ndërsa ministri italian i transporteve tha se ishte “një tragjedi kolosale”.
Zv/kryeministri Matteo Salvini tha se 30 njerëz kanë humbur jetën dhe se ka edhe shumë të plagosur rëndë.
Rreth 80 metra trase të mbikalimit Morandi u shembën nga një lartësi rreth 50 metra dhe ranë mbi një lumë, mbi linjën hekurudhore dhe godina që ndodheshin në zonë. Shembja ndodhi rreth orës 11,30 (sipas orës lokale) dhe në mesin e një shtrëngate shiu, njoftoi shërbimi zjarrfikës i Xhenovas.
Sipas burimeve policore, të paktën 20 ishin makinat që u rrëzuan.
“Po ndjek me shqetësim të madh atë që ndodhi në Xhenova dhe duket se është një tragjedi kolosale”, deklaroi ministri i transporteve, Danilo Toninelli.
“Nuk mund të pranohet fakti që një urë kaq e rëndësishme... nuk u ndërtua në mënyrë që të evitojë një shembje të tillë... U shemb aksi kryesor i mbikalimit”, i deklaroi Zëvendësministri i Transporteve, Edoardo Rixi televizionit SkyNews 24.
Nga zyra e kryeministri Giuseppe Conte u bë e ditur se shefi i qeverisë po shkon në Xhanova ku do të qëndrojë edhe të mërkurën.
Karabinierë, policë, zjarrfikës dhe pjesëtarë të shërbimeve të emergjencës po përpiqen që të çlirojnë njerëzit që janë ngujuar nën rrënojat e urës.
Rrënojat ranë edhe mbi një impiant të prodhimit të energjisë elektrike që ndodhet poshtë mbikalimit, por duket se është dëmtuar vetëm parkingu. Impianti ishte bosh, për shkak ditës së pushimit në vigjilje të festës fetare të 15 gushtit.
Mbikalimit, që është inauguruar në 1967 dhe kishte gjatësi 1,2 km, i ishin bërë punime mirëmbajtjeje në vitin 2016. Kompania që ka me koncesion funksionimin e mbikalimit tha se në momentin e fatkeqësisë, aty po kryheshin punime për forcimin e themeleve, duke shtuar se objekti ndodhej në mbikqyrje të vazhdueshme.
Autostrada që kalon nga mbikalimi Morandi është një arterie e rëndësishme drejt Rivierës Italiane dhe bregdetin jugor të Francës.
Qarkullimi i trenave nga dhe drejt Xhenovas është ndërprerë.