0030 210 33 18 483

Itali, shpallet zonë të mbrojtur nga COVID-19 gjithë territori i vendit

ATSH 10 Mars 2020

ROMË, 9 mars /ATSH - AFP - ANSA/ – Kryeministri italian, Giuseppe Conte shpalli gjithë territorin e vendit si zonë të mbrojtur për shkak të koronavirusit dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin lëvizjet në territorin kombëtar për të  frenuar epideminë e koronavirusit.

Conte urdhëroi gjithashtu edhe ndalimin e tubimeve.

Këto masa drakoniane, zbatimi i të cilave nuk u saktësua nga Conte, do të detajohen në një dekret, që do të hyjë në fuqi nesër, në të gjithë Italinë, vendi i dytë më i prekur nga COVID-19, pas Kinës.

Qeveria e ka zgjatur periudhën e mbylljes së shkollave dhe universiteteve deri më 3 prill.

“Numrat na tregojnë se ne kemi një rritje të madhe të pacientëve nën kujdesin intensiv dhe për fat të keq të viktimave. Zakonet tona duhet të ndryshojnë: të gjithë duhet të heqim dorë nga diçka për të mirën e Italisë. Ne duhet ta bëjmë menjëherë dhe do të kemi sukses vetëm nëse ne të gjithë do të punojmë së bashku dhe do t’i përshtatemi këtyre standardeve më të rrepta”, theksoi Conte.

Në Itali ka aktualisht 7 985 pacientë me koronavirus, me një rritje prej 1 598 personash në krahasim me ditën e djeshme. Ka gjithashtu 724 persona të shëruar, 102 më shumë se dje. Numri i viktimave është 463.

Ndaje me miqte