0030 210 33 18 483

Ja masat per Krishtlindjet dhe Vitin e Ri

TV Tribuna 24 Dhjetor 2020

Pesë mijë policë do të mbikqyrin respektimin e masave gjatë festave të krishtlindjeve dhe vitit të ri, ndërsa në këto operacione do të përdoren edhe drona.

Ministri i mbrojtjes së qytetarit, MihalisHrisohoidis paralajmëroi se policia do të ndërhyjë madje dhe në banesa “po të ketë denoncime për grumbullime të mëdha”.

Duke folur në radion Skai, ministri Hrisohoidis deklaroi që sa në vigjilje aq edhe në ditën e krishtlindjeve dhe vitit të ri, nga ora 10 e mbrëmjes në rrugë nuk do të qarkullojë askush, me përjashtim të autoambulancave. “Nuk do të ketë frymë njeriu në rrugë”, tha shprehimisht ministri.

Kryeministri Mitsoitakis ka përsëritur apelin për të respektuar masat gjatë festave.

“Të shmangen grumbullimet në banesa dhe festat e sivjetme të kufizohen vetëm në rrethin e ngushtë familjar, me qëllim që të evitohet një rigjallërim i pandemisë, një valë e tretë që do të vejë sërish në provë sistemin kombëtar të shëndetësisë”, nënvizoi Mitsotakis gjatë një turi në Greqinë e Veriut.

Burime qeveritare të cituara nga mediat kanë lënë  të kuptohet se kontrollet e rrepta që do të zbatohen gjatë këtyre tri ditëve dhe rezultatet e tyre, do të përbëjnë një provë gjenerale në prag të vitit të ri.

Nëse rezultatet nuk janë pozitive, atëherë ka shumë gjasë që të merren masa më të ashpra në festën e ndërrimit të viteve.

Siç ka bërë të ditur zëdhënësi i qeverisë greke, SteliosPetsas, në tryezën e krishtlindjeve, si dhe në atë të vitit të ri, mund të mblidhen e shumta deri 9 persona nga dy familje.

Në të njëjtën kohë, kontrollet e policisë në rrugët qendrore, në diodiat, stacionet e KTEL dhe në treg, po intensifikohen gradualisht, me qëllim që të evitohet lëvizja masive e qytetarëve.

Ndër masat që po shqyrtohen është dhe ajo për mbylljen e stacioneve të metrosë si ai i Sintagmas në orën 21, apo dhe më herët për në 24 dhe 25 dhjetor.

Theksi do të jepet në ndalimin e qarkullimit nga ora 10 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit.

Në këtë kuadër parashikohet bllokimi i qarkullimit në akset kryesore rrugore sa të Athinës, aq edhe të qyteteve të tjerë, duke kontrolluar çdo automjet që qarkullon gjatë orëve të “shteterrethimit”.

Vihet në dukje se ditën e krishtlindjeve lejohet lëvizja për të shkuar në banesa të të afërmve, me gjithë rregullat e protokollit.

Domethënë, vetëm dy persona të së njëjtës familje me maska në makinë dhe nëse ka, fëmijë të mitur.

Lëvizja bëhet duke dërguar sms me numrin 6 te 13033-shi dhe vetëm deri në orën 10 të mbrëmjes.

Sms duhet dërguar edhe për t’u kthyer në shtëpi, pas mbarimit të festës.

Ndaje me miqte