Jep dorëheqjen sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare
Zëri i Amerikës
08 Prill 2019
Sekretarja e Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, dha dorëheqjen pas 16 muajsh në këtë post dhe trysnisë së madhe nga Shtëpia e Bardhë dhe publiku mbi situatën përgjatë kufirit jugor të vendit.
"Me gjithë përparimin në reformimin e sigurisë kombëtare për epokën e re, kam vendosur që është koha e duhur për t’u larguar” shkroi zonja Nielsen në letrën e dorëheqjes dërguar presidentit Donald Trump.
Ndonëse nuk tha saktësisht se pse po ikte, zonja Nielsen, shkroi se shpreson që sekretari i ardhshëm "do të ketë mbështetjen e Kongresit dhe gjykatave në rregullimin e ligjeve që kanë penguar aftësinë tonë për të siguruar plotësisht kufijtë e Amerikës dhe që kanë kontribuar në mosmarrëveshjet në vendin tonë. Burrat dhe gratë e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, meritojnë të kenë të gjitha mjetet dhe burimet e nevojshme për të zbatuar misionin që u është besuar”.
Zonja Nielsen më vonë shkroi në twitter se dita e saj e fundit në post do të jetë e mërkura.
Presidenti Trump ka shprehur zhgënjimin me situatën përgjatë kufirit të Shteteve të Bashkuara me Meksikën, ku janë drejtuar qindra e mijëra emigrantë në përpjekje për t'i shpëtuar varfërisë dhe krimit në Amerikën Qendrore, me shpresë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Ai ritheksoi qëndrimin e tij në një seri komentesh në twitter të dielën vonë duke i nënvizuar ato me pohimin se “Vendi ynë nuk mban më!”.
Burimet në Shtëpinë e Bardhë thonë se presidenti Trump qortonte shpesh zonjën Nielsen se nuk po tregohet mjaft e rreptë në frenimin e numrit të emigrantëve që po përpiqeshin të hynin në Shtetet e Bashkuara.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i quajti politikat e emigracionit të administratës së president Trump "mizore" që sipas saj, "vetëm sa kanë përkeqësuar vuajtjet njerëzore në kufi".
"Është thellësisht alarmuese që zyrtarja e administratës Trump që ka futur fëmijët nëpër kafaze, thuhet se po jep dorëheqje meqë nuk është mjaft e ashpër për t’i pëlqyer Shtëpisë së Bardhë ", tha ajo, “Amerika ka nevojë për një sekretar të Sigurisë Kombëtare që do të respektojë shenjtërinë e familjes, do të nderojë trashëgiminë tonë krenare si komb i emigrantëve dhe do të rivendosë mendjen e shëndoshë në politikat e kësaj administrate”.
Zonja Nielsen u përball me protesta publike për shkak të politikës shumë të papëlqyeshme të administratës për ndarjen e familjeve emigrante pas hyrjes në SHBA.
Mijëra fëmijë u ndanë nga prindërit e tyre dhe u mbajtën në mjedise të ndara. Zonja Nielsen ishte përgjegjëse për zbatimin e asaj politike ndonëse atëbotë e mohonte një gjë të tillë.
Në letrën e saj zonja Nielsen shkroi se “atdheu ynë sot është më i sigurt sesa kur iu bashkova kësaj administrate. Kemi ndërmarrë veprime të pashembullta për të mbrojtur amerikanët”.
Presidenti Trump falënderoi në twitter zonjën Nielsen për shërbimin e saj dhe njoftoi që komisionari i doganave dhe mbrojtjes së kufijve, Kevin McAleenan, do të jetë ushtrues detyre i sekretarit të Sigurisë Kombëtare.
"Kam besim që Kevini do të bëjë një punë shumë të mirë”, tha presidenti Trump.
Ndaje me miqte