0030 210 33 18 483

Juncker në Athinë: "Propozimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë nuk do të thotë dhe datë për fillimin e tyre"?

Tribuna TV 26 Prill 2018

Presidenti i Komisionit europian, Jean-Claude Juncker, ka deklaruar se rekomandimi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe FYROM, nuk do të thotë se është dhënë dhe një datë për fillimin e këtyre negociatave.

“Që të jem absolutisht i qartë, dua të them që, kur Komisioni Europian propozon çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, nuk do të thotë se ne kemi dhënë një datë në të cilën do të fillojnë këto negociata”, ka thënë zoti Juncker gjatë një fjalimi në parlamentin grek, të enjten.

“As është shtruar çështja për dhënien e një date”, ka vazhduar presidenti i Komisionit Europian.

“Kujdes, nuk duhet të mbështetemi në njoftime jorealiste. Kjo nuk është e mundur të ndodhë. Të gjithë do të gjykohen me një bazë objektive, mbi bazën e vlerave dhe kritereve të tyre”.

Sa i përket negociatave Athinë-Shkup, presidenti i Komisionit Europian u ka thënë deputetëve grekë se atij nuk i takon të japë direktiva apo madje dhe ide. Mirëpo Juncker ka theksuar emergjencën e zgjidhjes së çështjes së emrit.

“Më lejoni të nënvizoj emergjencën që karakterizon gjetjen e zgjidhjes në këtë problem, nisur nga fakti se ky në këtë rajon të komplikuar, siç ka thënë Churchill-i, historia që prodhohet nuk mund të konsumohet”, shtoi Juncker, duke sqaruar se të njëjtën gjë kishte thënë edhe gjatë vizitës në Shkup, para disa javësh.

Në një mesazh me rezonancë më të gjerë, presidenti i Komisionit Europian theksoi se “Gjithë ato probleme, posaçërisht kundërvëniet në kufi që do të mund të krijonin konflikte dypalëshe, do të duhet gjithsesi, të zgjidhen para çdo anëtarësimi”.

Presidenti i Komisionit Europian zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë, me qëllim që të përcjellë personalisht mesazhin se krizës greke po i vjen fundi. 

“Greqia në verë do të bëhet një vend kaq normal sa edhe vendet e tjera të Eurozonës”, deklaroi Juncker gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Tsipras. 

Kryeministri grek theksoi edhe në prani të zotit Juncker përkushtimin e Greqisë për iniciativa në drejtim të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit në Ballkan.

“Këtë e dëshmojmë duke tentuar për herë të parë me kaq vendosmëri që të gjejmë një zgjidhje reciprokisht të pranueshme me Shkupin, por edhe zgjidhje për perspektivën europiane të Shqipërisë”, tha kryeministri grek.

Ndaje me miqte