0030 210 33 18 483

Jurgen Klopp, intelektuali i futbollit dhe tifozi i çmendur...

Tribuna TV 16 Dhjetor 2018

Thonë se të futbollistët e mëdhenj shumë rrallë bëhen edhe trainerë të mëdhenj. Dhe është fakt që trainerë si si Marcello Lippi, Arigo Saci, Arsen Wenger, Joachim Low apo Hose Mourinho, përforcojnë pohimin se që të jesh në majën e bosave të pankinës  nuk është nevoja të kesh qenë edhe bos në fushën e blertë.

Të gjithë këta dhe shumë të tjerë, kanë krijuar dhe po krijojnë epoikën e tyre në futboll, mirëpo si futbollistë kishin kaluar totalisht pa i bërë kujt përshtypje.

Një rast i tillë është me siguri edhe Jurgen Klopp. Një mbrojtës mediokër në rininë e vet, sot është një nga trainerët më të mëdhenj të botës. Me një stil të veçantë personal, me një prezencë që të kujton një mësues të gjuhës dhe letërsisë angleze në një universitet të Nju Jorkut, por edhe me shpërthime të befasishme gjatë ndeshjes që të sjellin  ndërmend një tifoz në shkallët e stadiumit, 51 vjeçari gjerman është një përzierje intelektuali bohem dhe tifozi të çmendur.

Klopp nuk ngurron ta thotë hapur atë që mendon, siç ishte rasti kur i doli në krah Mezut Ozilit, në momentin që gjithë Gjermania “po ziente” kundër sulmuesit me origjinë turke; ka humor dhe nuk ngurron të përdorë autosarkazmën, si atëherë kur iu bë prezantimi te Liverpuli dhe u vetëquajt “Normal One”, duke perifrazuar shprehjen “Special One” të Mourinhos; ka një personalitet të fuqishëm dhe e zotëron futbollin.

Mediat nënvizojnë gjithmonë se ka edhe diçka tjetër, diçka që është e vështirë të përkufizohet me fjalë: Thua se është lindur që njerëzit e tjerë ta duan e të adhurojnë. E adhuruan te Mainzi, e adhuruan te Borussia Dortmund dhe po e adhurojnë si një perëndi te Liverpuli. Madje, nëse sivjet i udhëheq “Reds-at” në fitimin e titullit kampion – për herë të parë pas 20 vjetësh- aty do ta adhurojnë për gjithë jetën. Në përfundim të javës së 16-të, ekipi ndodhet në vendin e dytë të klasifikimit. Por të fitojë në derbin e të dielës ndaj Manchester United-it, kalon në vend të parë, një pikë më shumë se Man. City...

Mundet që Klopp ende nuk ka marrë një titull me Liverpulin. Mirëpo, në sezonin 2015-2016 e çoi në finalen e Europa League dhe në sezonin 2017-2018, në finalen e Champions League. Jo keq...

 

Që i vogël, me sportin...

Jurgen Klopp u lind në Shtutgard, më 16 qershor 1967. Babai i tij, Norberti, kishte dy vajza, por donte me çdo kusht një djalë. Dhe, kur djali lindi, babai i dedikoi gjithë energjitë e një prindi, që ëndërron që djali i tij të arrijë gjithçka që i jati nuk realizoi dot.

Babai, që kishte luajtur portier me shpresat e Kaiserslauternit, e angazhoi shumë shpejt të birin në botën e sportit. Ski në dimër, tenis në verë dhe futboll gjithë vitin.

Në ato vite futbolli gjerman kishte emra legjendarë, që nga Braitner e Bonof, deri te Rumeninge e Litbarski. Që nga Floe, Magath e Shuster, deri te Kalc, Stilike, Fisher... E megjithatë, asnjeri prej tyre nuk ishte idhulli i djaloshit Jurgen. Zemrën e tij e “kishte rrëmbyer” Karl Hains Fërster, pjesëtar i kombëtares gjermano-perëndimore, por jo një mbrojtjes me teknikë të veçantë. Më tepër një lojtar cerebral dhe trupin gjithmonë drejt në fushë, Fërster ishte kapiten i Shtutgardit, ku Jurgen dhe i jati nuk linin asnjë ndeshje pa ndjekur në stadium. “Statura që kishte brenda në fushë ishte gjithmonë më e rëndesishme se talenti i tij”, do të thotë vite më vonë Klopp për idhullin e tij.

 

I fortë, jo teknik

Vetë Klopp nuk mundi të vishte kurrë fanelën e ekipit të tij të zemrës. E filloi karrierën me moshat në ekipin e vogël Pfortsham, adoleshent ishte në ekipin e dytë të Eintraht Frankfurtit, kaloi shpejt e shpejt nga Viktoria Sindlingen dhe Rot Vais dhe “hodhi rrënjë” te Mainz. Në vitin 1989, do të lerë punët part time që bënte për të nxjerrë shpenzimet e veta (videotekë, magazinë artikujsh ushqimorë), dhe do të nënshkruajë kontratën e parë si profesionist. Ndonëse fillimisht luan si sulmues, më pastaj do të sanksionohet si mbrojtes dhe deri në 2001 do të jetë një nga “ingranazhet” bazë të 11-shes. Luan 325 ndeshje dhe shënon 52 gola.

“Nuk ishte teknik, por ishte i fortë dhe luante gjithmonë me pathos e shumë fuqishëm”, kujton bashkëlojtari i tij, Tomas Cimer. “Një njeri shumë i mirë për ekipin dhe mik shumë i mirë i gjithë lojtarëve”, shton Cimer.

Mirëpo Klopp nuk e shihte futbollin vetëm si lojë, por e trajtonte si një shkencë të vërtetë. Lexonte gjithçka rreth këtij sporti burrëror, analizonte teknike dhe sisteme dhe studionte kryesisht Volfgang Frankun, një nga trainerët e parë gjermanë që vendosi katër lojtarë në mbrojtje zonale dhe në formë rombi në mesfushë. Me një rogë më se mesatare prej 2.300 markash, e kuptoi se duhej të niste investimin për të ardhmen e tij dhe për këtë të ardhme donte atë që po e adhuronte tashmë: karrierën si trainer. Kështu që, kur vazhdonte ende të luante me Mainzin,  dy herë në javë bënte 400 e ca kilometra që të shkonte në Këln, ku ndiqte studimet në shkollën e legjendare për trainerë të Erih Rutemelerit.

 

Nga një lojë e fatit...

Dhe ishte atëherë që në skenë doli fati, që të luajë lojën e vet. Në shkurt 2001 traineri i Mainzit, Erkhard Krautson u pushua në prag të një ndeshjeje jashtë fushës së vet. Në një mbledhje emergjence në hotel, drejtori sportiv Kristian Handel dhe lojtarët u shprehën njëzëri se më e mira për ekipin do të ishte që në pankinë të qëndronte Jurgen Kloppi. Kështu u bë dhe ishte fillimi i një karriere të shkëlqyer. Treguesit në vazhdim do të ishin pozitivë. Traineri 34 vjeçar filloi ta transformonte gradualisht ekipin, të vinte shenjën e vet dhe përfundimisht, në 2004, Mainz doli në Bundesligë. Megjithëse ishte një ekip i vogël, me një nga buxhetet më të ulëta në Gjermani, arriti të luante tre sezone të një pas njëshme në kategorinë më të lartë të futbollit gjerman. Atëherë ishte që doli në skenë Borussia Dortmund dhe Klopp u ndje i gatshëm të bënte hapin e madh. Mirëpo, nuk u arratis nga porta e pasme si “tradhëtar”. Përkundrazi, u brohorit e u përcoll si hero... 20.000 tifozë bohoritnin emrin e Klopp, i cili nuk mundi t’i mbante lotët dhe i tha vetes që kurrë më nuk do të lejonte të krijonte lidhje kaq emocionale me një ekip.

Mëngjesin e 23 majit 2008 u komunikua emërimi i Jurgen Klopp si trainer i Borussias. 

 

Dominuesi i lojës

Te Borussia Dortmund u bë shumë shpejt dominuesi i lojës. Ekipi luante futboll të shkëlqyer e të shpejtë dhe merrte edhe rezultatet që dëshironte. Brenda një katërvjeçari fitoi dy kampionate (2011, 2012), një kupë (2012), dy superkupa (2013, 2014), shkoi në finalen e Champions League (2013). Dhe ashtu si në rastin e Mainzit, edhe në Dortmund, tifozët jo thjesht e respektonin Kloppin si trainer, por e deshën si mik dhe io shkuan pas si udhëheqësit.

Për fat të keq, babai i tij nuk jetonte më, që të shihte sukseset e të birit. Kishte vdekur në vitin 2000 nga kanceri, mirëpo kishte arritur ndërkaq t’i përcillte përkushtimin ndaj përsosmërisë.

Klopp iu përkushtua totalisht Borusies dhe arriti të vejë në kontroll gjithçka që kishte lidhje me ekipin. Fliste personalisht me sponsorët e ekipit, kishte mbikqyrjen e plotë të seksioneve të moshave, merrte pjesë në procesin e merkatos. Në të njëjtën kohë, shihte me orë të tëra video, 5-6 orë në ditë për një ndeshje 90 minutëshe, vazhdonte të studionte taktika dhe sisteme, por jo dhe statistikat. Klopp ka deklaruar se e interesojnë me të vërtetë vetëm një pjesë e vogël e analizës statistikore dhe e të dhënave aritmetike.

 

“The Normal One”

Sado që ngjante e pamundur të ndodhte, erdhi momenti që të ndaheshin rrugët ndërmjet Kloppit dhe Borussias. Pasditen e 23 majit 2015, pikërisht 7 vjet pas largimit të tij nga Mainzi, traineri gjerman i tha “lamtumirë” Dortmundit. Vetëm se tani ishte kujdesur që të përgatiste që më parë një mesazh në video. Teksa videoja shfaqej në ekranin e madh të stadiumit, publiku po e ngrinte në qiell dhe Klopp qëndronte në qendër të fushës, ndërsa sytë iu mbushën sërish me lot.

Më 5 tetor 2015 u hap një horizont i ri dhe një sfidë kolosale, pasi Klopp pranoi të shkojë te Liverpuli. Gjatë konferencës së parë për shtyp e “pagëzoi” veten si “Normal One”, duke parodizuar shprehjen “Special One” me të cilën Hose Mourinhos karakterizon veten.

Në këto tre vjet arriti t’i çojë “Reds-at” në tre finale: League Cup në 2016, Europa League në 2016, dhe kulmimi: finalja e Champions League në 2018.

Dhe mundet që mos të ketë fituar ende një trofe. Mirëpo ka fituar zemrat e të gjithëve në Anfield. Tifozët e adhurojnë dhe në çdo ndeshje i kujtojnë se... kurrë nuk do të ecë i vetëm *)...

 

*) You'll Never Walk Alone – Ti kurrë nuk do të ecësh i vetëm: kënga himn e tifozëve të Liverpulit

Ndaje me miqte