Kërcënim për bombë në aeroportin e Prishtinës, evakuohen udhëtarët dhe personeli
ATSH
28 Dhjetor 2022
PRISHTINË, 28 dhjetor/ATSH/- Zëdhënësja e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, ka informuar sot se kanë patur kërcënim me bombë.
Në një postim në rrjetet sociale, Gara bën të ditur se udhëtarët dhe personeli janë evakuuar dhe janë të sigurt.
“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcenim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuuar dhe janë të sigurt. Ekipet e involvuara në planin emergjent janë duke kryer detyrat e tyre”, ka shkruar Gara në facebook.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar Policia e Kosovës e cila informoi se është mbyllur përkohësisht aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.
Sipas Policisë, mbyllja e përkohshme e aeroportit ka ndodhur për shkak të një kanosjeje me mjete shpërthyese.
“Policia e Kosovës, sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin. Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve”, ka bërë të ditur Policia.
Ndaje me miqte