0030 210 33 18 483

Kakavijë, pritje me orë të tëra, ndërsa zgjidhjen e jep ligji

TV TRIBUNA 30 Gusht 2019

Kjo fotografi nuk ka nevojë për shpjegim.

Çdo shqiptar që ka bërë me autobus rrugën Shqipëri Greqi, është gjendur në këtë pozitë, pasi më parë ka zbritur prej autobusit bagazhet e veta.

U ndodhëm në pikën kufitare të Kakavijës këtë fundgushti, kur flukset e autobusëve drejt Greqisë janë çdo ditë e më të mëdha.

Po ashtu dhe vonesat.

Natyrisht, deri diku kjo është një situatë e pashmangshme dhe nga të dy policitë edhe ajo shqiptare, edhe ajo grek, ka një impenjim serioz për ta menaxhuar gjendjen.

Mirëpo, ndërsa kontrolli i pasaportave kalon relativisht shpejt, falë dhe shtimit të personelit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për bagazhet.

Gra e burra të moshuar që kishin me vete ilaçet e tensionit e të zemrës; nëna me fëmijë të vegjël, qëndronin nën diellin përvëlues për më shumë se një orë e gjysmë, deri sa i erdhi radha për kontroll bagazheve të tyre.

Polici erdhi, u bë një kontroll formal dhe pastaj duhej të prisnim autobusin tonë, që kishte shkuar në një tjetër vend, për të kaluar nga skaneri.

Në tokën greke, kishte vetëm kontroll pasaportash. Brenda 10 minutash, të 57 pasagjerët e autobusit tonë kishin mbaruar punë.

Sigurisht, në pikat e kalimit të kufirit ka procedura të rrepta që duhen zbatuar dhe askush nuk thotë që të mos bëhen kontrollet.

Por ai biçim sheshi në mes të rrugës, do të ishte mirë të sistemohej në mënyrë më të përshtatshme, të bëhej një strehë, bie fjala e të kishte dhe disa stola që të uleshin të moshuarit. Neve na ndodhi në një ditë me diell. Imagjinoni si do të jetë në dimër, kur bie dhe shi e të than i ftohti.

Po më tepër se ka, e gjithë procedura mund të përmirësohet me qëllim që të mos marrë kaq shumë kohë.

Në ligjin Ligj për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, neni 32 thuhet ndër të tjera:

Lehtësimet në kontrollin kufitar

Procedurat e kontrolleve kufitare mund të lehtësohen për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme dhe të papritura. Të tilla vlerësohen ngjarjet e paparashikueshme, që bëhen shkak për një qarkullim të ngjeshur, sa koha e pritjes në një pikë kalimi kufitar bëhet e tepërt dhe gjatë të cilave shfrytëzohen të gjitha burimet (personeli, pajisjet, ndërtesat dhe organizimi).

Vendimi për të lehtësuar kontrollet merret nga autoriteti qendror i Policisë Kufitare dhe të Migracionit.

Procedurat lehtësuese gjatë kontrollit kufitar bëhen të përkohshme, me procedura të përshpejtuara, me intervale, në përshtatje me rrethanat që i justifikojnë dhe fillojnë gradualisht. Për këtë, ndërtohen korridore të veçanta përpunimi dhe informacioni, nëpërmjet vendosjes së tabelave e të sinjalizimeve. Gjatë një situate të tillë bëhet vetëm vulosja e dokumentit të udhëtimit, pa u regjistruar.

Shikoni: ligji e ofron lehtësinë, madje përcakton që në raste të tilla bëhet vetën vulosja e pasaportës dhe nuk regjistrohet, pikërisht për të fituar kohë.

Mendojmë se situata e këtyre ditëve në pikat kufitare është pikërisht e jashtëzakonshme, pra kushti që kërkon ligji ekziston.

Tjetra që duhet është një vullnet më i mirë, dhe një vlerësim më i mirë për gjithë ata që udhëtojnë në ditë të tilla dhe janë të detyruar të përdorin autobusat....

Ndaje me miqte