0030 210 33 18 483

Kakavijë/ Sekuestrohen 30 600 euro, katër të ndaluar

ATSH 09 Gusht 2020

TIRANË, 8 gusht/ATSH/- Policia Kufitare e Kakavijës parandaloi dhe goditi dy raste të tentativës për transfertë të paligjshme të parave, 1 rast të trafikimit të mjeteve motorike dhe 1 rast për shkelje të ligjit për Kontrollin Kufitar.

Policia e Gjirokastrës njoftoi të shtunën se janë proceduar penalisht 4 shtetas, dy shtetas grekë, një shtetas italian dhe një shtetas shqiptar, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 30 600 euro dhe 1 automjet i markës “Nissan”.

Sipas Policisë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, është ndaluar për kontroll një automjet i markës “Nissan”, me drejtues shtetasin italian A. B., 37 vjeç, banues në Napoli, Itali. Ky automjet ka rezultuar i vjedhur në Itali dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Gjatë kontrollit të sendeve personale dhe bagazheve, në dalje të Republikës së Shqipërisë, shtetasit grek A. D., 46 vjeç, banues në Argos, Greqi, i janë gjetur të fshehura dhe i janë sekuestruar 20 200 euro, të cilat nuk i deklaroi pranë autoriteteve doganore. Po në dalje të Republikës së Shqipërisë është përzgjedhur për kontroll të detajuar shtetasi grek A. D., 30 vjeç, banues në Argos, Greqi, të cilit gjatë kontrollit në sendet personale i janë gjetur të fshehura 10 400 euro, të cilat nuk i deklaroi pranë autoriteteve doganore.

Po kështu, krahas këtyre rasteve, është proceduar penalisht dhe është ndëshkuar administrativisht për shkelje të ligjit për Kontrollin Kufitar, shtetasi J. T., 33 vjeç, banues në Lezhë, i cili, për motive të dobëta, ka goditur me grushte dhe është konfliktuar me drejtuesin e një autobuzi.

Veprimet e para hetimore dhe procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve u kryen nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”. 

Ndaje me miqte