Kammenos largohet nga qeveria. Greqia drejt zgjedhjeve të parakohshme?
Tribuna TV
13 Janar 2019
Që nga paraditja e të dielës kryeministri grek Aleksis Tsipras ka mbetur pa aleatin e vet në koalicionin qeveritar, ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos.
Pas një takimi me kryeministrin që zgjati rreth gjysëm ore, Kammenos u njoftoi gazetarëve vendimin e tij që të largohet nga qeveria, ashtu sikurse dhe anëtarët e tjerë të partisë së vet, “Grekët e Pavarur”.
Ky largim i jep fund “martesës” midis radikalëve të majtë dhe të djathtës patriotike, një bashkëjetesë që zgjati thuajse katër vjet, që nga 25 janari 2015.
Kammenos e falënderoi Tsiprasin për bashkëpunimin dhe tha se objektivi i parë i bashkëqeverisjes ishte dalja e Greqisë nga programet e shpëtimit.
Patëm një bashkëpunim për katër vjet në një qeveri të unitetit kombëtar. Arritëm ta nxjerrim vendin nga programi i shpëtimit, mirëpo çështja e emrit të Maqedonisë nuk më lejon të mos sakrifikoj karrigen. Për çështjen kombëtare nuk mund të vazhdojë ky bashkëpunim. Grekët e pavarur largohen nga qeveria”, deklaroi Kammenos.
Largimi i Kammenos dhe partisë së tij, “Grekët e Pavarur”, mund të sjellë shumë shpejt zgjedhje të parakohshme në Greqi.
Kryeministri Tsipras ka thënë se do të kërkojë votëbesim për qeverinë e tij, tashmë me minorancë.
Tsipras ka deklaruar që në rast se nuk merr votëbesimin, do të shpallë zgjedhje të parakohshme.
Por para kësaj, Tsipras është i vendosur që të votohet marrëveshja e Prespës, për të cilën shprehet i sigurt se i zotëron të paktën 151 vota, edhe pa ato të ministrit të mbrojtjes.
Ndaje me miqte