Kanada, pesë të vrarë pas të shtënave me armë zjarri në një bllok banesash
ATSH
19 Dhjetor 2022
TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/- Pesë persona kanë vdekur pasi një person i armatosur hapi zjarr në një bllok banesash në Toronto, Kanada, sipas BBC.
Policia iu përgjigj njoftimeve për të shtënat në ndërtesën në Vaughan, rreth 30 km në veri të Torontos, në orën 19:20, të dielën, duke vrarë të dyshuarin.
Një tjetër i plagosur është dërguar në spital në gjendje të rëndë.
Autoritetet po hetojnë motivin e ngjarjes, duke përfshirë një lidhje të mundshme mes personit të armatosur dhe viktimave.
Shefi i policisë së Jorkut, Jim MacSween tha se oficerët e pranishëm u përballën me një skenë të tmerrshme, me viktima të shumta të gjetura në banesa të ndryshme të ndërtesës.
MacSween tha se nuk kishte asnjë kërcënim të mëtejshëm për publikun dhe policia e Jorkut tha se të evakuarit mund të kthehen në banesat e tyre.
Kohët e fundit, Kanadaja ka përjetuar një rritje të dhunës me armë, duke nxitur legjislacionin e fundit për të ndaluar importin e armëve.
Në maj 2020, Kanadaja ndaloi 1 500 lloje të armëve të zjarrit të tipit ushtarak ose sulmues, pasi një person i armatosur i maskuar si polic, vrau 22 banorë në Nova Scotia.
Ndaje me miqte