Kancelaria gjermane "zbardh"? takimin Merkel - Mitsotakis
TV TRIBUNA
30 Gusht 2019
Nën titullin “Bashkëpunim më i ngushtë në ekonomi, energjinë dhe klimë”, kancelaria gjermane ka publikuar një njoftim për shtyp mbi takimin e kancelares Merkel me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
“Gjermania dhe Greqia dëshirojnë të bashkëpunojnë më ngushtë në të ardhmen, në sektorët e energjisë dhe të klimës. Këtë theksoi kancelarja Merkel gjatë vizitës së kryeministrit grek, Mitsotakis.
Në takim u diskutuan tema ekonomike dhe të politikës europiane, por edhe çështjet aktuale të emigracioni”, thuhet në njoftim.
“Gjatë vizitës së kryeministrit grek, kancelarja nënvizoi nivelin e marrëdhënieve dypalëshe, “që janë të mira, por mund të intensifikohen”.
Kancelarja Merkel theksoi dëshirën e përbashkët për bashkëpunim më të ngushtë në sektorët e energjisë dhe të klimës si dhe në përgjithësi rreth kontakteve ekonomike”.
Të ndalojmë migrimin e paligjshëm
Për çështjen e emigracionit, të dy palët mbështetën marrëveshjen BE-Turqi. “Gëzohem që një pikë kryesore e punës së qeverisë së re greke është që të mbushë me jetë këtë marrëveshje”, deklaroi kancelarja. Kjo do të ndihmojë që “refugjatët të kthehen me të vërtetë dhe kështu të ndërpritet migrimi i paligjshëm”.
Sa i përket politikës europiane, Merkel dhe Mitsotakis shkëmbyen pikëpamje për çështjen e zgjerimit të BE-së. Konkretisht, u diskutua për negociatat e anëtarësimit të Serbisë dhe të Malit të Zi, si dhe e ardhmja e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së veriut dhe të Shqipërisë”, përfundon njoftimi për shtyp i Kancelarisë gjermane.
Ndaje me miqte