Kaos me Gjykatën Kushtetuese, dy emra për një post
Zëri i Amerikës
13 Nentor 2019
Emërimi pasditen e së mërkurës i Marsida Xhaferllarit, nga Presidenti Ilir Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, e fut në kaos procesin e krijimit të organit më të lartë ligjor në Shqipëri.
Presidenti Meta e bëri emërimin e anëtares së re në tejkalim të afatit 30 ditor që i jep atij Ligji për Gjykatën Kushtetues. Presidenti e argumentoi vonesën me një nen tjetër, po të kushtetutës, ku përcaktohet rendi i emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij neni: “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.” Zoti Meta i qëndroi këtij argumentimi edhe në konferencën për shtyp vonë në mbrëmje.
Por sipas shumicës socialiste, ky interpretim i presidentit nuk është i vlefshëm, pasi neni për rendin e emërimeve, sipas saj, lidhet me ripërtëritjen çdo tre vjet të anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, pasi ajo të jetë krijuar. Shumica po ashtu argumenton se veprimi i presidentit për të pezulluar emërimin, në pritje të veprimit të parlamentit, nuk është i bazuar në ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Meqë presidenti nuk veproi deri më 7 nëntor, kur i skadoi afati 30 ditor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) konsideroi se Kreu i Shtetit nuk ushtroi kompetencën e tij, e për pasojë, siç përcakton ligji, automatikisht, shpallet i emëruar kandidati i pari në listë, që ishte zonja Arta Vorpsi.
Por zoti Meta mbrëmë deklaroi se botimi në Fletoren zyrtare sipas tij nuk ka vlerë. “Çdo botim kontrabandë në Fletoren zyrtare padyshim që nuk sjell asnjë detyrim për presidentin e Republikës”. Ai përdori një gjuhë të ashpër për drejtuesin e KED-së, i cili sipas tij nuk mund “të bëjë lojra të karakterit administrativ duke vendosur vetë kohën se si dërgohen listat, në mënyrë të tillë tepër të dyshimtë, për të mos thënë mafioze, që të vendosë presidentin në këtë pozitë që të shkeli detyrimisht kushtetutën e cila thotë qartë se Presideti plotëson vakancën e parë dhe pastaj parlamenti të dytën, ose me interpretime qesharake dhe absurde thotë i ka mbaruar afati. Kjo është absurde, e turpshme dhe mafioze”.
Shumica reagoi me tone të ashpra ndaj dekretimit të zonjës Xhaferllari. “Edhe njëherë Ilir Meta iu kundërvu Reformës në Drejtësi dhe Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Europian, duke dekretuar kundër ligjit dhe kundër qëndrimit të tyre, me zero legjitimitet kushtetues e ligjor, një gjykatëse mbrapa liste. Edhe njëherë kundërvënia brutale e Ilir Metës ndaj prioritetit themelor të vendit, drejtësisë, na bën të ndjehemi keq për Presidentin e Republikës”, shkroi në Facebook, zëdhënesja e Qeverisë Elisa Spiropali.
Pas veprimit të presidentit, për të njejtin vend të Gjykatës Kushtetuese tani janë dy anëtare, Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari. Emri zonjës Vorpsi u shpall në fletoren zyrtare, megjithatë ajo nuk mund ta fillojë detyrën pa bërë betimin tek presidenti Meta. Në bazë të vendimit të sotëm, presidenti Meta pritet të thërrasë për të bërë betimin zonjën Xhaferllari. Është ende e paqartë nëse emërimi i saj do të shpallet në fletoren zyrtare apo jo.
Në të gjithë këtë kaos, duket se nuk ka rrugëdalje, përsa kohë, Gjykata Kushtetuese, i vetmi organ mbi institucionet e tjera, është vetë, ende jashtë funksionit.
Ndaje me miqte