Katari kërkon anëtarësimin në NATO
Tribuna TV
06 Qershor 2018
Ministri i Mbrojtjes i Katarit konfirmoi se ambicia strategjike afatgjatë e vendit të tij është anëtarësimi në NATO, duke e vënë theksin në faktin se vendi i tij është një aleat kryesor jashtë Aleancës Atlantike.
“Katari është bërë një prej vendeve më të rëndësishme të rajonit në kuadër të cilësisë së armatimit dhe kjo në sajë të perëndimorëve”, deklaroi Khaled ben Mohammed al-Attiyah për gazetën e ministrisë ”Altalaya”.
“Ne jemi një aleat kryesor jashtë NATO-s”, theksoi ai duke shtuar se ambicia është të bëhemi anëtarë me të drejta të plota nëse partneriteti ynë me NATO-n zhvillohet dhe nëse vizioni ynë është i qartë.
Ai përshëndeti thellimin e marrëdhënieve me Aleancën Atlantike dhe theksoi se Doha mund të priste njësitë e NATO-s apo një prej qendrave të specializuara.
Që prej një viti, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti kanë ndërprerë të gjitha lidhjet me Katarin duke e akuzuar për financim të terrorizmit dhe për afrim me Teheranin, rivali i madh i Riadit, kreu i monarkive të naftës arabe të Gjirit.
Ndaje me miqte